Luigj Imeri avancon militantë të VV-së në pozita të larta në KEK

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Luigj Imeri ka filluar një “fushatë” të avancimeve të militantëve politik në pozitat të larta në këtë ndërmarrje publike.

Vetëm brenda dy jave, Luigj Imeri i cili u emërua në prill të këtij viti në pozitën e U.D/ kryeshefit në KEK nga Bordi i Përkohshëm i Qeverisë Kurti, ka ngritur në pozita disa militantë partiak.

Kështu kanë bërë të ditur burime të IndeksOnline brenda KEK-ut duke dërguar edhe dëshmi se këta punëtor janë të lidhur direkt me partinë e Albin Kurtit, e një nga ta edhe me LDK-në.

I avancuar në pozitë është Milot Podvorica, i cili deri në rrëzimin e Qeverisë Kurti ka qenë këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Podvorica më herët ka qenë edhe asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës dhe në të njëjtën kohë ka marrë pagë edhe nga KEK.

Në kohën kur ka ardhur në pushtet partia e tij, Podvorica ka ndërprerë marrëdhënien e punës në KEK dhe është emëruar këshilltar i ministrit Vitia.

Në momentin kur ka rënë nga pushteti qeveria Kurti, i njëjti është kthyer në punë në pozitën ku ka qenë, zyrtar ligjor.

Kurse vetëm pak kohë pas kthimit të tij në KEK nga ajo pozitë politike është avancuar në kabinetin e U.D/ kryeshefit, Luigj Imeri në pozitën e këshilltarit të lartë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, i punësuar ishte edhe vëllai i Milotit, Arbnor Podvorica, shofer i ministrit Vitia.

Në pozitë është ngritur edhe një person tjetër që i ishte gëzuar tej mase ardhjes në pushtet të qeverisë Kurti.

Riza Dembogaj është avancuar këto ditë, duke u emëruar ushtrues detyre në zyrën ligjore në KEK. Nga kjo pozitë ai ishte shkarkuar tri vjet më parë.

Dembogaj që është larguar nga puna të cilën e mbante edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës, ditën që partia e Albin Kurtit mori pushtetin kishte shkruar: “Efekti i qeverise se re qysh ne diten e pare. Hajnat, abuzuesit e paras publike, kapesit e shtetit dhe shkelesit e ligjit jan ne panik! Shantazhet kercenimet e perditeshme qe ju kan ba qytetareve te vendit, sot po i zbrazin haptas ne kuvend. Analfabetizmin dhe injorancen e tyre sot si asnjeher me pare po e shfaqin publikisht. Qeveria e re duhet me kthy besimin tek qytetaret dhe me i dergu para pergjegjesise te gjithe zhvatesit, shkelesit e ligjit dhe servilet e tyre qe kan kry pune te kunderligjshme per llogari te tyre, si dhe me i detyru me kthy te mirat materiale qe i kan pervetesu gjate kesaj periudhe!”

Imer Spanca po ashtu militant i Lëvizjes Vetëvendosje është ngritur në pozitë nga U.D së menaxherit në departamentin e ambientit. Krysheshefi i KEK-ut, Luigj Imeri e avancoi Spancen edhe pse nuk kishte asnjë parashikim as vlerësim nga stafi që duhet të ngritët në pozitë.

Spanca është shumë aktiv në rrjetet sociale ku shfaq hapur përkrahje për Albin Kurtin. Madje ai nuk kursen as analistët e mediave duke i akuzuar se janë të paguar për ta kritikuar Kurtin.


Kurse, në pozitën e drejtorit në zyrën e Prokurimit është avancuar Mirvete Gërguri e cila ka qenë asambliste e LDK-së në Komunën e Fushë Kosovës. Nga kjo pozitë vetëm pak ditë me parë ka dhënë dorëheqje Emin Tmava. Dorëheqja e tij thuhet se ka ardhur si pasojë e presioneve të shumta brenda ndërmarrjes. Në pozitën e Tmavës, Gërguri u avancua nga pozita e zyrtares së prokurimit.

Këto avancime sipas burimeve brenda KEK-ut kanë shkaktuar pakënaqësi dhe shqetësime të mëdha tek punëtorët. Rikujtojmë se javë më parë në KEK janë mbajtur edhe protesta të punëtorëve të cilët kërkonin kthimin e Njazi Thaçit në krye të ndërmarrjes, pasi për të kishte edhe një vendim pro të Inspekoratit te Punes.