Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, ka mbajtur takim këtë të enjte me zyrtarët përgjegjës policor kundër trafikimit të qenieve njerëzore, zyrtarë policor për migrim dhe të huaj, drejtorin e Drejtorisë së Inspektoratit komunal në Pejë dhe zyrtar nga ATK-ja.

Takimi i mbajtur në Prokurorinë Themelore të Pejës, kishte për qëllim hartimin e planit gjashtëmujor të veprimit për luftimin e kriminalitetit, me theks të veçantë në trafikimin e qenieve njerëzore, prostitucionit dhe mbrojtjen e të miturve si viktima të këtyre veprave kriminale.

“Si konkluzion i përbashkët u nxor identifikimi i lokaleve të cilët merren me këtë dukuri, posaçërisht ato lokale të cilat gjenden pranë objekteve shkollore, dhe trajtimi me prioritet të veçantë i këtyre rasteve ku viktima janë të miturit”,thuhet në kumtesën për medie nga Prokuroria Themelore e Pejës.

Përveç Prokurorisë Themelore të Pejës dhe Drejtorisë së Policisë Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, në luftimin e këtyre aktiviteteve kriminale do përfshihen edhe zyrtarë nga ATK-së, inspektoratet komunale dhe sektori kufitar policor.