Lufta në Ukrainë, Parlamenti Europian kërkon krijimin e një Gjykate Speciale për Rusinë

Parlamenti Europian u ka bërë thirrje vendeve anëtare të enjten të mbështesin krijimin e një gjykate speciale për të gjykuar çdo krim lufte të kryer nga Rusia në Ukrainë, sipas mediave të huaja.

Rezoluta u miratua me 472 vota pro dhe 33 abstenime në Parlamentin Europian dhe ritheksoi edhe njëherë vullnetin e BE-së për të siguruar që Moska të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera në Ukrainë.

“Të punojmë në bashkëpunim të ngushtë me Ukrainën për të kërkuar dhe ndërtuar mbështetje politike në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe forume të tjera ndërkombëtare për krijimin e gjykatës speciale për krimin e agresionit kundër Ukrainës”, tha PE.

Apeli erdhi pavarësisht se kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan, tha se gjykata e tij ishte në gjendje të trajtonte në mënyrë efektive krimet e luftës të kryera në Ukrainë.

Parlamenti Europian tha, megjithatë, se  krijimi i gjykatës speciale do të plotësojë përpjekjet hetimore të GJPN-së dhe prokurorit të saj, pasi do të fokusohet në gjenocidin e dyshuar, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Ukrainë”.

ICC me bazë në Hagë ka nisur një hetim për krimet e luftës në Ukrainë, por nuk mund të ndjekë penalisht krimin e agresionit – aktin e pushtimit të një vendi tjetër  sepse Federata Ruse nuk ka nënshkruar Statutin e Romës, traktatin që krijoi gjykatën.Që kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, forcat e tij ushtarake janë akuzuar për abuzime që variojnë nga vrasjet në periferi të Kievit, Bukha, deri te sulmet vdekjeprurëse ndaj objekteve civile, duke përfshirë një bombë në teatrin e Mariupolit me 16 mars.