BE

Lufta kundër terrorizmit, Shqipëria linjëzohet me BE-në duke zgjeruar listën e zezë

Shqipëria është linjëzuar tërësisht me një listë të re të zgjeruar kundrejt individëve dhe organizatave, të cilët dyshohet se kryejnë vepra terroriste në botë. Kështu, vendi përtej shpërfaqjes së një linje të dukshme politike perëndimore, po merr konkretisht edhe masa kundrejt grupeve.

Lista e përditësuar me 13 individë dhe 21 grupe dhe ente me aktivitet të dyshuar terrorist është miratuar nga Bashkimi Evropian më 21 korrik 2023 dhe bazohet në provat që në kohë janë paraqitur për aktivitetin e këtyre personave dhe grupeve.

Në listën e parë me 13 persona, bie në sy se shumica e eksponentëve janë me prejardhje nga Lindja e Mesme, duke përfshirë vende si Irani, Libani, apo edhe Arabia Saudite.

Nuk mungojnë ndërkaq shtetas, të cilët janë të pajisur me pasaporta amerikane, apo të vendeve të mëdha evropiane, e deri te ato australiane.

Sa i përket grupeve, po ashtu kemi të bëjmë më së shumti me brigada të cilat operojnë sipas përkatësisë etnike dhe fetare, ku përfshihen ndër të tjera edhe Xhihadi Islamik Palestinez, Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës, Partia e Punës së Kurdistanit (njohur gjerësisht si PKK), apo Hamas-Izz al-Din al-Qassem, pjesë e grupimit të madh terrorist, Hamas.

Ndërkaq, në listën me 21 organizata, janë edhe ato me qëllime politike, si Partia Komuniste e Filipineve, apo vetë Drejtoria për Sigurinë e Brendshme e Ministrisë së Iranit për Inteligjencën dhe Sigurinë, shkruan AP.

Përtej Shqipërisë, linjëzimit me listën e fundit të BE-së u janë bashkuar edhe vende të tjera të rajonit si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, apo Bosnjë dhe Hercegovina.

Ndërkaq, hapa për t’u bashkuar me nismën kanë marrë edhe Ukraina me Moldavinë, si edhe Liechtensteini.

Shqipëria është linjëzuar në këtë aspekt me të gjitha vendimet e Bashkimit Evropian për eksponentë të tillë, ku së fundmi, me shpërthimin e luftës në Ukrainë, ka pasur një seri vendimesh nga unioni sa i takon sanksioneve kundrejt shtetasve rus të lidhur me regjimin e Vladimir Putinit, për të cilët Shqipëria ka vendosur gjithashtu sanksione, konform linjës së BE-së për të dënuar mbështetësit e luftës.