Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë e ka kundërshtuar kërkesën e VMRO-DPMNE-së opozitare për falje të pjesëmarrësve në ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvend dhe ka porositur se përgjegjësi për dhunën duhet të ketë.

“VMRO-DPMNE-ja antikombëtare kërkoi që të lirohen nga përgjegjësia të gjithë dhunuesit e 27 prillit në Kuvend, për ngjarjet e errëta kundër demokracisë dhe kundër qytetarëve.

Ajo është matricë e njëjtë e Nikola Gruevskit, nëpërmjet pengut të tij Hristian Mickoski vënë në funksion të mbrojtjes të politikave kriminele të regjimit që Maqedonisë i sollën vetëm të këqija, ndarje, ngecje, dhunë, prishjen e të drejtave njerëzore, shkatërrimin e demokracisë dhe goditje ndaj lirisë.

Kjo është e papranueshme.

Nuk guxon dhe nuk mund të ketë amnisti për ata që planifikuan, urdhëruan dhe kryenin dhunë më 27 prill.

Përgjegjësi për dhunën e 27 prillit duhet të ketë”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.