Low konfirmon Neuerin në portë

Selektori i Gjermanisë, Joachim Low nuk do ta lë në bankën rezervë portierin e Bayernit, Manuel Neuer, në ndeshjen ndaj Francës e vlefshme për Ligën e Kombeve përkundër formës së dobët në takimet e fundit.

32 vjeçari mungoi në pjesën më të madhe të sezonit të kaluar dhe ka pasur probleme për t’u rikthyer në formën më të mirë që nga Kampionati Botëror që u mbajt këtë verë në Rusi.

Neuer ka pranuar gol në 4 ndeshjet e fundit të Bayernit, duke pësuar 7 gola në total, ndërsa edhe në ndeshjen që “Die Mannschaft” e humbën 3-0 ndaj Holandës bëri gabim në golin e parë të shënuar nga Van Dijk.

Legjenda gjermane Lothar Mathauus sugjeroi dje se Ter Stegen duhet të startojë para ish portierit të Schalkes por i të njejtit mendim nuk është edhe Low.

“Gjëja e vetme që mund të them është se Neuer do të startojë. Na duhet të bëjmë ndryshime taktike sepse vuajtëm shumë në kundërsulme ndaj Holandës, dhe kjo është shumë e rëndësishme pasi që Franca është edhe më e fortë në këtë aspekt. Humbja me Holandën i ka lënë të gjithë të lënduar por për mua nuk ishte befasuese”, deklaroi Low.

Low beson se pjesa e dytë kundër Holandës ishte pozitive ndërsa theksoi se pas dështimit në Kupën e Botës, Gjermania është futur në një periudhë tjetër që kërkon kohë.