Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lok Komoni, ka reaguar pas deklarimeve dhe sjelljeve të ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, të cilat kanë ngjallur debat në opinionin publik.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Komoni ka kritikuar ashpër qasjen e Matoshit dhe përfaqësuesve të tjerë të VV-së, duke i cilësuar veprimet e tyre si të dëmshme për vendin. Ai ka thënë se “të panjerëzit” kanë arritur në një pikë shqetësuese dhe se Kosova ka nevojë për një reagim të gjerë shoqëror.

“Lutje për ju me shpirt e me zemër! Shikoni deri ku kanë arritur këta të panjerëzit… ‘Ramushi kumar me shki’ e këta shpëtimtarë të vendit pa ia bërë një të mirë kësaj Kosove,” ka shkruar Komoni, duke aluduar te deklarimet publike të Matoshit.

Komoni u ka bërë thirrje ish-luftëtarëve, çlirimtarëve dhe rinisë që të unifikohen rreth vlerave të UÇK-së dhe të reagojnë në mbrojtje të, siç thotë ai, dinjitetit të vendit.

“UÇK është vlera më e madhe historike e Kosovës. Rinia gjithmonë ka ditur ta bëjë ndryshimin. Sot është momenti ynë,” ka theksuar ai.

Ai shtoi se thirrja për bashkim duhet të fillojë nga familja, lagjja e deri te gjithë Dukagjini e Kosova, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Komoni ka përmendur edhe serialin “O Sa Mirë”, duke e lavdëruar për mënyrën se si e ka trajtuar figurën e “Ardianes”, me të cilin sipas tij i ka “qëlluar” në portretizimin e sjelljeve aktuale politike.

Reagimin e tij, kandidati i AAK-së e përmbyll me thirrjen që qytetarët të jenë të bashkuar “për të larguar të keqen nga Kosova”.