Lojtari i Fenerbahces përpiqet të puthë stemën e klubit pas golit, por fanella e tretë e Puma-s nuk e ka një gjë të tillë – momenti bëhet viral

Lojtari Muhammed Gumuskaya mbeti i tronditur kur nuk arriti të gjente stemën e klubit të Fenerbahces në fanellën e tretë të prodhuar nga Puma, gjatë festimit të golit të tij të shënuar kundër HJK Helsinki.

Mesfushori turk 20-vjeçar zëvendësoi ish-yllin e Arsenalit, Mesut Ozil, në minutën e 62-të të ndeshjes kualifikuese të Fenerbahces të enjten në kuadër të Ligës së Evropës.

Gumuskaya bëri një ndikim të menjëhershëm teksa theu ngërçin dhe shënoi gol në minutën e 65-të në stadiumin ‘Sukru Saracoglu’ në Stamboll.

Lojtari i Fenerbahces tërhoqi fanellën e tij për të puthur stemën e klubit, por shpejtë e kuptoi se ajo nuk ishte e pozicionuar aty ku zakonisht do të gjendej.

Gumuskaya u përpoq me dëshpërim për të gjetur stemën në pjesën e përparme të fanellës, por Puma ka zhvendosur logon e secilit klub në pjesën e pasme dhe e ka vendosur atë nën jakë.

Momenti i festës së talentit turk është bërë shpejtë viral në rrjetet sociale, ndërsa shumë përdorues u argëtuan nga ky moment.

Fenerbahce është ndër 10 klubet e mëdha evropiane që nënshkruan një marrëveshje me Puma për prodhimin e fanellës së tyre të tretë.