“Lojtarët e Shqipërisë duan të luajnë në Kosovë”

Trajneri Muhamet Dragusha beson se klubet e Ipko Superligës së Kosovës do të jenë mjaft aktive gjatë afatit kalimtar të janarit, veçanërisht me transferime të lojtarëve nga Shqipëria.

Të ftuar në studion e emisionit “Favorit” sot janë ish-futbollisti e trajneri i ri, Muhamet Dragusha, dhe trajneri i ekipit kombëtar U-10 të Kosovës, Ramiz Krasniqi.

Dragusha ka theksuar se në klubet kosovare mund të shtohen edhe më shumë futbollistë nga Shqipëria gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi që ata janë të vetëdijshëm për korrektësinë e drejtuesve të klubeve në Kosovë.

“Janari do të jetë i nxehtë duke e pasur parasysh se lojtarët e Shqipërisë janë shumë të gatshëm të vijnë duke e ditur korrektësinë në Kosovë te kryesitë e klubeve dhe te trajnerët”, tha Dragusha në “Favorit”.

“Sigurisht se do të ketë përsëri vërshime dhe do të ketë përforcime. Me siguri se do të jemi dëshmitarë se sa i vështirë do të jetë sezoni i dytë”.

Në rrjedhën e kampionatit, sipas Dragushës, do të ndikojnë edhe ndryshimet e fundit në formatin e Ipko Superligës së Kosovës. Në fund të sezonit, nga liga do të bien katër klube – pasi që, që nga sezoni i ardhshëm, në ligën e nivelit të parë të futbollit në Kosovë do të luajnë dhjetë dhe jo 12 klube.

loading…