Lojtarët e Kosovës festojnë Fitër Bajramin

Futbollistët e ekipit kombëtar të Kosovës i kanë shfrytëzuar llogaritë e tyre në rrjetin social për të treguar se si po e festojnë Fitër Bajramin dhe për t’ua uruar këtë festë ndjekësve të tyre.

Futbollistët e Kosovës janë për momentin në Kosovë, pasi që janë duke u përgatitur për ndeshjet e radhës me trajnerin Bernard Challandes. Ata kanë postuar në rrjetet e tyre sociale me rastin e festës së Fitër Bajramit.

https://www.instagram.com/p/BySE0XhIP2y/?utm_source=ig_embed

Më 2 qershor, ekipi kombëtar i Kosovës i filloi përgatitjet për ndeshjet e qershorit, ku Kosovës do t’i mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm për shkak të lëndimeve, si Hekuran Kryeziu e Valon Berisha.

Kosova fillimisht do të përballet me Malin e Zi në Podgoricë të premten, e pastaj, tri ditë më vonë, “Dardanët” do të udhëtojnë në Sofje për përballjen me Bullgarinë. Që të dyja këto ndeshje zhvillohen në kuadër të Grupit A të kualifikimeve në EURO 2020.

Edhe pse do të jetë vendase, Mali i Zi s’do ta ketë përkrahjen e tifozëve në stadium për ndeshjen kundër Kosovës, pasi që malaziasit janë dënuar nga UEFA ta zhvillojnë një ndeshje pa tifozë për shkak të thirrjeve raciste në ndeshjen e kaluar, kundër Anglisë.

Kosova mund të kualifikohet në EURO 2020 nëse e zë njërin nga dy vendet e para në Grupin A. Nëse dështon në këtë rrugë, Kosova e ka edhe një mundësi tjetër, përmes play-offs për kualifikime, ku e siguroi një vend në gjysmëfinale përmes triumfit në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve.