Pasi dëshmoi për më shumë se 1 orë në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me kontratat e lobimit në SHBA, kryedemokrati Lulzim Basha ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat.
Ai deklaroi se Prokuroria po heton për deklarimet që PD ka bërë në formularët e vetëdeklarimit për shpenzimet në KQZ.
“Jemi thirrur si persona që kemi dijeni për ngjarjen. Dua të bëj të qartë se hetimi i hapur prej 1 viti e gjysmë bëhet sipas nenit 90 për çështjen e deklarimit të shpenzimeve në formularët e vetëdeklarimit në KQZ, nëse janë mbushur siç duhet apo jo. Ky është hetimi, jo gënjeshtrat dhe shpifjet për të cilat qeveria i aktivizon sa herë i duhet. Ka më shumë se 6 muaj që kanë ardhur përgjigjet nga SHBA dhe Britania që vërtetojnë se asnjë demokrat nuk ka shkelur asnjë ligj, i kemi kërkuar prokurorsë t’i bëjë publike përgjigjet e ardhura që vërtetojnë se PD dhe drejtuesit e saj nuk kanë shkelur asnjë ligj”,- tha ai.
Prokuroria nisi hetimet pas shkrimit në revistën amerikane “Mother Jones” lidhur me fondet që kjo parti ka paguar për aktivitete të lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para zgjedhjeve të qershorit 2017.
Janë katër kontrata të dyshimta me vlerë rreth 600 mijë dollarë, para të cilat vijnë nga kompania “Binita Trade” pronë e dy shtetasve rusë. Paratë janë dërguar në llogaritë e kompanisë së Nikolas Muzin, i cili ka mundësuar takime të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha me administratën e Presidentit amerikan apo zyrtarë te lartë atje . Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë. Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja.
Partia Demokratike nuk ka pranuar asnjë lidhje me firmën ‘Biniatta Trade LP”, e cila rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale. Vetë kryedemokrati prej nëntorit të vitit të kaluar ftoi prokurorinë të hapë hetimet për të sqaruar cështjen.







