Llapi e ka mposhtur 3-1 Trepçën ‘89 në Podujevë, kurse Drita e mundi 1-0 Ferizajn në Gjilan.
Janë mbyllur dy ndeshjet e para të javës së 22-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll.
Në “Zahir Pajaziti” të Podujevës u takuan Llapi dhe Trepça ‘89, ndërkohë në Gjilan kampioni në fuqi priti Ferizaj.
Llapi, që po lufton për titullin e kampionit, mori tri pikë shumë të vlefshme në shtëpi, duke triumfuar 3-1, tre gola u shënuan në pjesën e parë.
Fillimisht, Valmir Veliu shënoi për 1-0 në minutën e shtatë të ndeshjes, pas një gabimi nga mbrojtja e Trepçës ‘89.
Gëzimi i vendasve zgjati shkurt, pasi në minutën e 20’, Gëzim Rusi, gjuan me të parën pas harkimit të Renato Hyshmerit dhe dërgon topin në rrjetë për 1-1.
Megjithatë, mbrojtja e mysafirëve nuk ishte aspak në nivel, pasi Llapi gjeti sërish golin e epërsisë dhe sërish pas një momenti habie të lojtarëve të Trepçës ‘89.
Në minutën e 32’, Ahmed Januzi përfitoi nga një gabim i mbrojtjes udhëtuese dhe realizoi në tollovinë e krijuar brenda zonës, duke dërguar topin në rrjetë për 2-1.
Trepça ‘89 fitoi një penallti me të filluar pjesa e dytë, por nga pika e bardhë nuk u tregua i saktë, Djibril Diawara.
Kur nuk shënon, e pëson, dhe kështu mysafirët pranuan edhe një gol deri në fund të takimit. Festim Alidemaj shënoi për Llapin për 3-1 në minutën e 90’.
Pas kësaj fitore, Llapi tani ka shkuar në kuotën e 47 pikëve, dy më shumë se Prishtina e dy më pak se lideri, Feronikeli.
Në xhiron e 22 në Ipko Superligë, fitore ka arritur edhe Drita, që e ka mposhtur 1-0 Ferizajn në Gjilan.
Në minutën e 14’, Kyrian Nwabueze, pas një veprimi individual gjuan për mrekulli dhe realizoi super gol, që doli të jetë i vetmi i takimit.








