Llapjani që goditi gruan me rrip të pantallonave në Gjykatë thotë se i vjen keq për atë që ka ndodhur

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për veprën penale “lëndimi i lehtë trupor”, B.A.

Në bazë të këtij aktgjykimi, të akuzuarit i është shqiptuar dënimi me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në afat verifikimi prej 1 viti.

Kurse, i njëjti është liruar nga pagesa e shpenzimeve të procedurës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E dëmtuara, për të realizuar kërkesën pasurore-juridike, është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.

Ky aktgjykim u shpall nga gjykatësi Minir Hoti, pas mbarimit të seancës fillestare të mbajtur në po të njëjtën ditë, gjatë së cilës i akuzuari u deklarua fajtor për rastin me të cilin e ngarkon aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

I akuzuari në fjalë, mes tjerash, tha se i vjen keq për rastin që ka ndodhur, duke shtuar se kujdeset për gruan dhe vajzën e tij.

Prokurori që përfaqësoi aktakuzën, Besart Mustafa, e bëri plotësimin e kualifikimit të veprës penale, ashtu që sipas tij në të ardhmen duhet të jetë “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1.4 lidhur me paragrafin 3 nën paragrafi 3.1 të KPRK-së, si dhe si përfundim u pajtua me pranimin e fajësisë, duke kërkuar të merren parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Ndryshe, sipas aktakuzës së datës 23 qershor 2020, B.A. akuzohet se me 16 mars 2020, rreth orës 09:00, në fshatin Gërdoc, Komuna e Podujevës, me qëllim të cenimit të dinjitetit brenda një marrëdhënie familjare, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, të dëmtuarës A.R, në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjes në mes tyre, i pandehuri e nxjerr rripin e pantallonave dhe e godet të dëmtuarën në këmbë, me ç’rast i ka shkaktuar dëmtime të lehta trupore me pasoja të përkohshme shëndetësore.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1.4 lidhur me paragrafin 3 nën paragrafi 3.1 të KPRK-së.