Llapi e mundi Feronikelin, nuk ndalet Prishtina

Llapi është treguar i fortë për Feronikelin, pasi e ka mundur 2-1 n Podujevë, në anën tjetër Prishtina e ka mposhtur bindshëm Drenicën, 3-0.

Llapi ka regjistruar fitore të rëndësishme në shtëpi, pasi e mposhti skuadrën e Feronikelit me rezultat të ngushtë 2-1.

Ersil Ymeri realizoi dy gola për skuadrën llapjane në këtë përballje, por ‘heroi’ i llapjanëve ishte ‘gardiani’ Giaccomo Nava, i cili priti penaltinë e Jean Da Silvës në minutën e fundit të kohës shtesë.

Ilir Berisha realizoi golin e vetëm për skuadrën e “Niklit” në këtë përballje, gol që në fund vlen vetëm për statistika.

Fitore ka marr edhe Prishtina në këtë xhiro në IPKO Superligë.

Kryeqytetasit nuk ndalojnë as në Skenderaj, pasi që mposhti Drenicën bindshëm me shifrat 3-0 dhe merr kreun e tabelës së bashku me Dritën dhe Balkanin.

Kryeqytetasit e nisën mirë ndeshjen me golin e realizuar nga Otto John, derisa Ergyn Ahmeti e dyfishoi rezultatin në pjesën e parë. Edmond Turku qëlloi gabimisht në portën e tij në pjesën e dytë për të vulosur fitoren e skuadrës ‘bardhekaltër’.