Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës në komunën e shtatë kanë nisur përgatitjet intensive për zgjedhjet e 28 dhjetorit, me synimin për të kaluar pragun e 20 mijë votave.
Në një deklarim të bërë përmes rrjeteve sociale, Lladrovci tha se Kryesia dhe Shtabi i Fitores po punojnë me përkushtim të plotë, njësoj si në raundet e mëparshme zgjedhore.
“Sërish jemi në selinë e fitoreve të njëpasnjëshme. Ashtu siç u angazhuam me mish e me shpirt për çdo votë më 9 shkurt, për PDK-në dhe Bedri Hamzën, edhe më fuqishëm do të angazhohemi për 28 dhjetorin, me synim tejkalimin e 20 mijë votave,” u shpreh Lladrovci.
Ai tha se komuna e shtatë ka dëshmuar historikisht mbështetje për PDK-në dhe se, sipas tij, tradita e rezultateve pozitive do të vazhdojë edhe në zgjedhjet e ardhshme, qofshin ato lokale apo qendrore.
“Fitorja i ka hije bastionit, ndërsa ne tashmë i kemi marrë dorën fitores. Të bashkuar, të fituar!”, deklaroi ai.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 28 dhjetor. /Ballkani.info/






