Ramiz Lladrovci

Lladrovci njofton se janë identifikuar ‘shpifësit’ e fushatës së vitit 2021: Duhet të marrin dënimin e merituar

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, njofton se janë identifikuar dhjetëra profile të rrejshme të cilat gjatë fushatës së vitit 2021 i kanë sulmuar siç thotë ai “pa bazë, si parti dhe individ, si drejtues lokal e si njerëz, me shpifje dhe dezinformata”.

Lladrovci thekson se, shpifjet e keqbërësve gjatë fushatës së vitit 2021 nuk harrohen dhe duhet të marrin dënimin e merituar.

“Tashmë janë qartësuar burimet, ideatorët, inspiruesit dhe ekzekutuesit sulmeve të pabaza ndaj anëtareve e anëtarëve të Kabinetit tim si dhe asambleisteve nga keqbërësit.

Sulmet e ulëta, janë bërë duke shpallur drejtoresha e asambliste “të paafta”, “të padijshme”, “servile”, “të shantazhuara”, “dashnore” madje edhe “ortake” të bashkëshortes time, me epitete të turpshme, me qëllim të denigrimit të Kabinetit tim dhe përbërjes së ekipit fitues në Asamblenë komunale të PDK-së.

Në veçanti ka qenë i dhimbshëm sulmi ndaj drejtoreshave e asamblisteve të cilat janë fyer në mënyrën më të paturpshme, fyerje për profesionin e tyre, fyerje mbi baza gjinore dhe moralin e grave me angazhim publik, duke tronditur opinionin madje edhe familjet për moralin, aftësitë apo për profesionalizimin e drejtoreshave dhe asambleisteve.

Synimi im për barazinë gjinore në ekzekutivin e komunës, kishte dhe ka qëllimin më fisnik, të shpjeguar shumë herë publikisht, duke marrë si pasqyrë dhe amanet të cilin e kishin heroina Xhevë Lladrovci, Fatime Hetemi, Luljeta Shala dhe heroinat tjera, se kur të çlirohemi nga okupimi, do të zbatojmë barazinë gjinore në ligjbërje dhe vendimmarrje”, thotë ai.

Tutje, kryetari Lladrovci thotë se këto dezinformata kishin peshën e rëndë goditëse edhe në familje.

“Këto dezinformata, të cilat u lansuan kundër vajzave, nënave, grave apo bashkëshorteve, jo vetëm si drejtoresha e asambliste, kishin peshën e rëndë goditëse edhe në familje, besa edhe në shoqëri, prandaj edhe angazhimi në politikë e jetën shoqërore u bë sfidë. Është tronditëse mungesa e solidaritetit të grave opozitare të cilat u pajtuan me etiketimet nga profilet e rrejshme.

Prandaj, drejtoreshat dhe asamblistet i inkurajoj të jenë aktive, të denoncojnë çdo fyerje dhe dezinformatë nga profilet e rrejshme sociale, jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore për pushtetin lokal më 2021, por edhe pas fitores tone”, shkruan ai.

Me denoncime kundër profileve të rrejshme, Lladrovci thotë se do ta luftojmë dezinformatën, mashtrimin, shpifjen dhe lajmet e rreme, të drejtuara kundër grave, barazisë gjinore dhe grave në vendimmarrje, me qëllim që të mos përsëriten si dukuri të liga të shfaqura si asnjë herë më parë gjatë zgjedhjeve të vitit 2021.

“Shpifjet e keqbërësve gjatë fushatës së vitit 2021 nuk harrohen dhe duhet të marrin dënimin e merituar.

P.S. Përkundër zotimeve dhe betimit të personit të dënuar nga Gjykata se në të ardhmen nuk do t’i përsëris veprat e tilla, i dënuari vazhdon ta luaj rrolin e “luanit” (shih pjesën e dokumentit zyrtar nga deklarata e tij në Gjykatë)”.