Lladrovci: Koalicioni me AAK-në e Nismën ishte gabim, në zgjedhjet e ardhshme PDK të shkojë e vetme

Kadri Veseli i kishte premtuar Ramush Haradinajt se do ta bënte kryeministër dhe nuk e tërhiqte prapa fjalën e tij.

Këtë në Rubikon të KTV-së e tha bashkëpartiaku i tij, Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit.

Madje ai tha se ishte edhe ndërmjetësues, bashkë me kryetarin e Obliqit, Xhafer Gashin, që PDK e AAK të arrinin marrëveshje parazgjedhore.

“Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli e ka një të metë siç e kam edhe unë, i ka thënë Ramush Haradinajt që kam me të qit si kandidat dhe do të të bëjë kryeministër. Edhe e ka ba. Nuk ka pas asgjë të keqe sepse kanë qenë bashkëluftëtarë, kanë qenë miq e shokë”, ka thënë ai.

“Vetë kam qenë ndërmjetësues mes kësaj bashkë me kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashin, që të ndodhë koalicioni PDK-AAK para se të hyjmë në zgjedhje, kjo ka qenë nga 2015, më konkretisht pas ditës së pavarësisë së Amerikës”.

Megjithatë ai ka thënë se ka qenë gabim koalicioni me AAK-në e Nismën, derisa ka shtuar se në zgjedhjet e ardhshme PDK-është mirë që të garojë e vetme.

“Pa marrë parasysh rezultatin, është mirë që të garojë e vetme sepse e ka atë identitetin e vet”, ka thënë Lladrovci.