Liverpooli barazon edhe ndaj Crystal Palace, në ndeshjen ku Nunez u përjashtua me të kuq

Liverpooli është kthyer nga disavantazhi për të barazuar ndaj Crystal Palace (1-1), në sfidën e javës së dytë në Ligën Premier që u zhvillua në Anfield.

Wilfried Zaha pranoi një asistim të mrekullueshëm nga Eberechi Eze, shkoi përpara dhe i kaloi mysafirët në epërsi (32’). Me epërsi prej një goli për ekipin vizitor, skuadrat shkuan në pushim dhe Jurgen Klopp kishte çfarë t’u thoshte Redsave në zhveshtore.

Jo shumë minuta brenda gjysmës së dytë (57’), transferi i ri i Liverpoolit, Darwin Nunez, u përjashtua me karton të kuq pasi goditi me kokë Joachim Andersenin, i cili dukej sikur e kërkoi atë reagim. Përkundër inferioritetit numerik në fushë, vendasit ia dolën ta barazonin rezultatin me një angazhim solo të Luis Diaz, i cili realizoi gol të bukur (61’). Ky ishte barazimi i dytë i Liverpoolit pas dy ndeshjeve të para sezonale dhe qëndron në kuotën e dy pikëve. Për Crystal Palace është pika e parë, duke qenë se e kishte humbur ndeshjen e javës së parë.