Liverpool-Tottenham, dy skuadra të kundërta me një numër të përbashkët

Finalja e dytë e gjitha angleze e historisë së Champions League pas Manchester United-Chelsea në 2008-ën ka kthyer futbollin britanik në qendër të botës. Një “boom” që vjen nga larg, duke filluar nga krijimi i Premier League në 1992-shin dhe nga një shpërndarje e ekuilibruar të të ardhurave nga të drejtat televizive, që janë rritur në mënyrë marramendëse në një çerekshekulli.

Më pas, me radhë, kanë ardhur stadiumet e reja, trajnerët e huaj, investimet në sektorin e moshave që janë shpërblyer me titujt kampion bote të fituar nga kombëtaret Under 20 dhe Under 17.

Liverpool-Tottenham është një sfidë e re në llojin e saj. Nuk ka rivalitet tradicional mes dy ekipeve (për “Të Kuqtë” rivalët historikë janë Manchester United dhe Everton, për “Spurs”, Arsenal dhe Chelsea) dhe nuk ka krahasim as mes historisë së dy klubeve.

Liverpool-i është një nga të mëdhatë e futbollit botëror: 59 trofe, mes të cilëve 5 Champions/Kupa të Kampionëve, 3 Kupa UEFA dhe Superkupa të Europës. Tottenham ka fituar 24 trofe në total, por mund të krenohet për faktin se ka qenë klubi i parë anglez që ka fituar një trofe europian me suksesin në Kupën e Kupave 1962/63, të fituar në finale kundër Atletico Madrid.

STRATEGJI – Janë të ndryshme edhe strategjitë e ndjekura nga dy klubet për të arritur në finalen e Madridit, që do të zhvillohet me 1 qershor. Liverpool-i ka shpenzuar shumë. Merkato e fundit është mbyllur me një investim prej 150 milionë eurosh për të marrë Alisson, Fabinho, Keita dhe Shaqirin.

Tottenham, nga ana tjetër, nuk ka shpenzuar asnjë euro në dy sesionet e fundit të merkatos, me burimet ekonomike që janë përqendruar te ristrukturimi i “White Hart Lane”, që ka shkuar nga një kapacitet prej 36 mijë vendesh në 62.062. Blerja e fundit ka qenë ajo e Lucas Moura në janarin e 2018-ës: një lëvizje që është bekuar nga tre golat e realizuar nga braziliani në ndeshjen kundër Ajax-it.

VLERA – Vlera e skuadrës së Liverpool është 993 milionë euro. Ajo e Tottenham është 872. “Të Kuqtë” kanë 24 lojtarë në organikën e tyre, 16 prej të cilëve janë të huaj dhe kanë një moshë mesatare 26,7 vjeç. Tottenham ka 25 lojtarë, me 17 të huaj dhe një moshë mesatare 27 vjeç. Kontrata e Jurgen Klopp skadon në vitin 2022 dhe skema e tij e preferuar është 4-3-3.

Mauricio Pochettino është lidhur me “Spurs” deri në 2023-shin dhe nuk ka një modul fiks: nga 4-2-3-1, 3-4-2-1 te 4-3-3. Klopp është i lidhur me mish dhe shpirt me Liverpool-in, Pochettino, në rast se triumfon në Madrid, mund të largohet: e ka thënë në prag të ndeshjes me Ajax-in.

Madridi do të pushtohet nga 33 mijë tifozë anglezë, të dy klubet do të kenë në dispozicion nga 16.613 bileta për ndeshjen që do të luhet në “Wanda Metropolitano”. Nëse do të vinim bast për një numër në këto orë, do të zgjidhnim 27-ën: numri i fanellave të Moura dhe Origi, heronjtë e Tottenham dhe Liverpool.

https://www.youtube.com/watch?v=7PpwihRSujw