Seanca e KS së OKB-së

LIVE – Vuçiq viktimizohet në Këshillin e Sigurimit, akuzon Kurtin dhe shtetin e Kosovës për “persekutim ndaj serbëve”

21:20 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prin “persekutimeve ndaj serbëve të Kosovës”. Ai ka akuzuar institucionet e Kosovës se kanë krijuar kushte “të padurueshme për serbët, duke shtuar se kanë bërë edhe sulme sistematike dhe persekutim”.

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vuçiq ka thënë të enjten se këto sulme mund të shkaktojnë dëme të pariparueshme.

“Mund të shkaktojnë dëme të pariparueshme deri në takimin e ardhshëm për raportimin e radhës së UNMIK-ut. Kemi kërkuar këtë takim për shkak të veprimit të Bankës së ashtuquajtur të Kosovës për ndalimin e dinarit. I ashtuquajturi lidership ka vazhduar sulmet ndaj popullatës serbe dhe ka kulmuar pasi që mbijetesa i tyre në provincën jugore varet nga buxheti i Serbisë”, ka thënë Vuçiq.

Sipas Vuçiqit, “sulmet ndaj serbëve në Kosovë e vështirësojnë situatën”. Ai e ka përmendur edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ky është sulm ndaj popullatës serbe dhe e bën situatën në Kosovë të vështirë. Prishtina po i pamundëson veprimet e të gjitha institucioneve shëndetësore, kulturore e arsimore që ofrojnë kushtet bazike. Çdo parandalim i financimit të spitaleve, shkollave e çerdheve të Serbisë është sulm i drejtpërdrejt ndaj serbëve dhe ndaj themelimit të Asociacionit”, është shprehur ai.

Vuçiqi ka thënë se janë 470 sulme të motivuara etnikisht ndaj serbëve dhe Kishës serbe në Kosovë, prej se Qeverinë e udhëheq Albin Kurti.

“Ai është në ballë të persekutimit të serbëve”, ka deklaruar Vuçiqi.