Protesta e radhës e qytetarëve serbë kundër dhunës së pushtetit të Aleksandar Vuçiqit me moton “Një nga pesë milionë” ka filluar sonte në Beograd rreth orës 18, afër Fakultetit Filozofik.

Qytetarët kanë mbajtur flamuj në duar dhe transparentë të mëdhenj në të cilin shkruante “Filloi” dhe “1 nga 5 milionë”, “Derisa të gjithë nuk janë të lirë, askush nuk është”.

Po ashtu në protestë ka pasur edhe mbishkrime “Ndal këmishave të përgjakura”, shkruan Ballkani.info.

Protestuesit po ashtu kanë mbajtur edhe flamur të grupimit LGBT me mesazhet “Transfobia është dhunë” dhe “Homofobia është dhunë”.

Protesta ka filluar me një minut heshtje në nderim të viktimave të aksidentit në Nish, ku nga përplasja e trenit me veturë humbën jetën pesë persona.

Në protestë ka folur aktori i njohur serb, Branisllav Trifunoviq.

Ai e ka pasur një mesazh të fuqishëm për Vuçiqin, duke thënë se në protestë ka shumë njerëz dhe se do të ketë edhe më shumë. /Ballkani.info/