Lista Serbe presion subjekteve tjera para zgjedhjeve, po largon njerëz nga puna në komunat serbe

Ende pa filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, Lista Serbe ka shtuar presionin ndaj subjekteve të tjera serbe garuese në këto zgjedhje.

Partia e Pavarur Liberale e Slobodan Petroviqit thotë se masat dhe presioni i Listës Serbe, që mbështetet nga Beogradi, janë drastike dhe të papërballueshme për ta.

Petroviqi thotë se presin përkrahje shumë më të madhe sesa në zgjedhjet e mëparëshme, andaj Lista Serbe, sipas tij, druan nga fitorja e partisë së tij, raporton KTV.

Për Nenad Rashiqin, për ndikimin dhe presionin e Listës Serbe, fajin kryesor e kanë institucionet e Kosovës.

Ai thotë se ata janë të pafuqishëm ndaj presionit të saj, pasi nuk mund të reagojnë me dhunë dhe frikësim te qytetarët serbë, siç po vepron ai subjekt politik.

Rashiqi e Petroviqi janë shprehur të bindur që nëse do të ketë demokraci, atëherë edhe Lista Serbe do të pësojë humbje në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ata kanë thënë se qëllimi i tyre kryesor është mirëqenia e serbëve në Kosovë, andaj po marrin pjesë në këto zgjedhje.

Në fund të muajit gusht, Nenad Rashiqi e Rada Trajkoviqi arritën koalicion, ku në listë janë tetë kandidatë për deputetë dhe thanë se po bëhen bashkë për ta mposhtur Listën Serbe.

loading…