Lista Serbe e dirigjuar nga Beogradi vazhdon ta provokojë situatën, reagon pas aksionit në Shtërpcë

Lista Serbe ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës kundër strukturave ilegale në Shtërpcë të enjten.

Aksionin Lista Serbe e ka quajtur politik dhe kjo sepse sot ka qëlluar të jetë një festë në Shtërpcë.

“Fakti që aksioni është ndërmarrë gjatë një feste të madhe, Shën Gjoni, konfirmon se është veprim puro politik i institucioneve të Kosovës i drejtuar kundër popullatës serbe në komunën e Shtërpcës”, thuhet në reagim.

Lista ka thënë se aksione të tilla po merren gjithmonë në festa ose ngjarje të veçanta për serbët, ndërkaq ka kërcënuar me kundërpërgjigje.

“Lista Serbe, përveçse dënon gjithçka që po ndodh sot në Shtërpcë, kërkon që menjëherë të ndalen ngacmimet ndaj serbëve në Kosovë sepse serbët do të detyrohen të përdorin të gjitha mjetet për t’iu kundërvënë këtij lloj mashtrimi të popullit tonë”, thuhet tutje në njoftim.

Po ashtu, ka kërkuar reagimin e institucioneve ndërkombëtare duke pretenduar se serbët po tentojnë t’i largojnë nga Kosova.

Me urdhër të Gjykatës Themelore të Ferizajt, Policia e Kosovës të enjten, më 7 korrik, po kryen një aksion për të sekuestruar kamera të sigurisë të vendosura nga strukturat ilegale serbe në Komunën e Shtërpcës.

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë se aksioni është duke u zhvilluar në katër lokacione në këtë komunë, përfshirë edhe në objektin e komunës së strukturave ilegale serbe.

“Jemi duke e zbatuar një urdhëresë të gjykatës për kontrollin dhe sekuestrimin e gjësendeve që janë në objektin e komunës së strukturave ilegale dhe në tri lokacione të tjera, ku dyshohet se janë të vendosura pajisjet për monitorim të këtyre kamerave të sigurisë që janë vendosur në komunë, në rrugë publike nga strukturat ilegale. Vetëm ato që janë të vendosura nga strukturat ilegale e edhe kamerat që janë të vendosura nga institucionet tona publike”, tha ai.

Ky rast, sipas Malokut, nuk është i lidhur me rastin “Brezovica”, që ka të bëjë me keqpërdorimet në dhënien e lejeve të ndërtimit në qendrën turistike të Brezovicës.

E vetmja lidhje, sipas tij, është se ish-kryetari i Komunës, Bratislav Nikoliq, ka qenë edhe koordinator i strukturave ilegale në këtë komunë.

“Ky [aksion] është ndërlidhur me rastin ‘Brezovica’ pasi që ish-kryetari i Komunës [së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq] ka qenë edhe koordinatori i strukturave ilegale. Megjithatë, është rast i veçantë, meqë nuk ka të bëjë me ndërtimet atje. Mirëpo, është ndërlidhur vetëm për shkak të personit kryesor që ka qenë edhe kryetar i këtyre strukturave ilegale. Por, këto janë organe jokushtetuese, për këtë arsye kemi ndërmarrë edhe këtë që t’i mbyllim dhe t’i sekuestrojmë të gjitha pajisjet edhe dokumentacionin në bazë të të cilëve kanë operuar”, tha Maloku.

Aksioni po zhvillohet në katër lokacione, por edhe në vendet ku janë vendosur kamerat, siç janë shtyllat ndriçuese në rrugët e kësaj komune.