Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka reaguar pas aksionit në Banjskë, duke thënë se Qeveria e Albin Kurtit “rrëmbeu” kompleksin në Banjskë “para syve të komunitetit ndërkombëtar”.

“Kompleksi ‘Rajska Banja’ është ndërtuar ekskluzivisht me para të Qeverisë së Serbisë, që ka investuar përmes Zyrës për Kosovën. Ky kompleks është hapur në vitin 2019 dhe institucionet e Kosovës nuk kanë investuar asnjë dinar dhe nuk kanë bazë ligjore për pretendimet se janë pronarë të kompleksit”, tha Lista Serbe përmes një njoftimi.

Ndërkaq, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, e cilësoi si “ilegal” aksionin e Policisë dhe AKP-së për marrjen nën administrim të “Rajska Banjës”.

Përmes një njoftimi për media, Petkoviq tha se pjesëtarët e Policisë së Kosovës bastisën kompleksin në Banjskë dhe i dëbuan punëtorët që punonin në mirëmbajtjen e hotelit dhe restorantit që gjendet aty “nën kërcënim të forcës”.

Sipas Petkoviqit, me këtë aksion, autoritetet në Kosovë “edhe një herë sulmuan të drejtat kolektive të popullit serb dhe u shkel e drejta e pacenueshme e paprekshmërisë së pronës”.

“Natyrisht, për këtë sulm do ta informojmë bashkësinë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ndërmjetësit në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Petkoviq.

Në ambientet e këtij kompleksi, pas një sulmi ndaj Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në shtator të këtij viti, dy persona ishin arrestuar, por më pas ishin liruar nga autoritetet.

Gjatë sulmit të shtatorit, u vra një polic i Kosovës dhe tre sulmues të armatosur.

Kosova fajëson Serbinë për këtë sulm, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Rindërtimi i këtij resorit ka filluar në vitin 2015 nga Qeveria e Serbisë përmes Zyrës së saj për Kosovën. Në atë projekt janë investuar rreth 7 milionë euro.

Drejtori atëhershëm i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, kishte nënshkruar marrëveshje për restaurimin e banjës me Dioqezën e Rashkës së Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe kryetarin e Autoritetit të Përkohshëm Komunal, Ivan Todosijeviq.

Kështu, kompleksi “Rajska Banja” kaloi në pronësi të Qeverisë së Serbisë, Kishës dhe Autoritetit të Përkohshëm Komunal të Zveçanit.

Ky resor gjendet në afërsi të manastirit të Banjskës, në vendin me të njëjtin emër, në komunën e Zveçanit.

Në këtë vend ka burime uji të nxehtë dhe sulfuror.

Në Kosovë ky kompleks është i regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në emër të Aleksandar Zllatkoviq.

APK-ja menaxhon të gjitha ish-ndërmarrjet shoqërore të Kosovës dhe pretendon se është pronarja e vetme e atyre pronave. /Rel

LEXO EDHE: