Lista Serbe bëhen shakaxhinj, pyesin: Kush i la ministrat Sveçla e Mehaj të kalojnë në veri të Kosovës?

Lista Serbe ka bërë një reagim të çuditshëm lidhur me vizitën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe atij të Mbrojtjes, Armend Mehaj, në Jarinje e Bërnjak.

Për dy ministrat e Kosovës, subjekti politik që ka ulëse të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media pyet se kush ua dha të drejtën që Sveçla e Mehaj të kalojnë në, siç e quajnë ata, “ambiente serbe”, shkruan lajmi.ne.t

“Lista Serbe dënon ashpër provokimin e sotëm të organizuar nga Prishtina, kur në veri të Kosovës dhe Metohisë ministri i Policisë Xhelal Sveçla dhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj nga Prishtina po qëndronin në ambiente krejtësisht serbe”, thuhet në reagimin e tyre.

“Qytetarët në këtë moment janë të mërzitur dhe pyesin se në çfarë cilësie ka qenë ministri i Mbrojtjes Mehaj në ambientet serbe, me ç’rast kush e ka telefonuar, a janë shoqëruar nga pjesëtarë të FSK-së dhe nga kush kanë marrë leje për të hyrë në veri të Kosovës dhe Metohisë”, thuhet më tej.

“Theksojmë se kjo nuk është një vizitë e zakonshme, por një provokim i pastër që ka mërzitur qytetarët tanë të cilët me të drejtë kërkojnë ndalimin e provokimeve që cenojnë paqen në këtë rajon”, përfundon reagimi i Listës Serbe.

Ministri Sveçla përpara tri orësh ka paralajmëruar për këtë vizitë, duke përgëzuar Policinë e Kosovës për punën e tyre në luftimin e kontrabandës.

“Bashkë me Ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj sot ishim në Jarinje e Bërnjak. Angazhimi i shtuar dhe i pandalshëm i Njësiteve të Policisë së Kosovës, luftimi i kontrabandës dhe kontrolli efikas kufitar po prodhojnë rezultate të dukshme”, shkruan në ‘Facebook’-un e tij ministri i Republikës së Kosovës.

“Vizitova dy pikat kufitare në të cilat po vijon poashtu zbatimi i marrëveshjeve. Mbesim të përkushtuar për ngritje dhe forcim të kapaciteteve tona drejt qëllimit tonë për sundim të rendit dhe ligjit në çdo cep të vendit tonë”, përfundon postimi i tij.