Lirohet nga arresti Sabit Pacolli, ish-anëtari i AKR-së i dyshuar për keqpërdorim parash

Këshilltari i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, Naim Murseli ka njoftuar se ish-anëtari i Aleancës Kosova e Re, biznesmeni Sabit Pacolli është liruar nga paraburgimi pas afër 11 muajve.
“Një lajm i mirë nga Suedia. Sot është liruar Sabit H. Pacolli nga të gjitha akuzat. Ai është mbajtur 11 muaj padrejtësisht në paraburgim në Suedi. Drejtësia ka fituar!”, ka shkruar në Facebook këshilltari i Behgjet Pacollit, Naim Murseli.

Pacolli ishte arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar nën dyshimin se ka keqpërdorur mjete financiare. Biznesmeni nga Lipjani dyshohej se ka zhvatur mbi 200 mijë euro si kryetar i një shoqate bamirëse për pronësi banesash, me afro 750 apartamente.

Gjatë kohës sa ishte në Kosovë ai kishte mohuar akuzat e gazetës suedeze “Sydsvenskan” në lidhje me keqpërdorimet, kurse më parë ishte edhe kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit nga radhët e AKR-së.