Telekomi i Kosovës ka kërkuar mbështetjen e Qeverisë të Kosovës në mënyrë të që tejkalojë vështirësitë në të cilat gjendet aktualisht, por kjo e fundit ka bërë të ditur se mbështet këtë ndërmarrje me garanci dhe jo me para.

Në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Telekomit, Bedri Istrefi, ka prezantuar situatën dhe sfidat me të cilat është duke u përballur kjo kompani, të cilat sipas tij, janë duke pamundësuar funksionalizimin e saj.Istrefi ka kërkuar ndihmë financiare nga Qeveria që të arrihet një marrëveshje me një operator ndërkombëtar, në këtë rast me “Nokia” për shfrytëzimin e Kontrikodit që do të mundësonte rritjen e të hyrave mujore për rreth 300 mijë euro.

Kreu i Ekzekutivit, Ramush Haradinaj ka shprehur angazhimin e kabinetit qeveritar për të mbështetur Telekomin e Kosovës që të funksionojë me afarizëm pozitiv, por ka theksuar se nuk kanë paraparë mbështetje financiare nga buxheti.

Ai ka kërkuar që kabinetit qeveritar t’i dorëzohet një analizë e shkruar e kompanisë në mënyrë të njohjes së drejtë të situatës dhe shqyrtimit të alternativave për të dalë nga kjo gjendje. Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë, me të cilin përjashtohen nga taksat mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina që janë importuar deri më datë 21.11 2018, dhe janë gjetur nën procedurat doganore me regjim të pezulluar depo doganore, import të përkohshëm, përpunim nën kontroll doganor dhe përpunimi i brendshëm me rastin e lëshimit në qarkullim të lirë.

Sipas raportit nga Dogana e Kosovës, prej datës 21.11.2018, mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja nuk janë lejuar të futen në depo doganore për pezullim të taksave, përveç brendeve. Ndërsa pas vendimit numër 06/82 datë 28.12.2018, kjo ndalesë vlen edhe për brendet ndërkombëtare. Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka themeluar Komitetin Ndërministror për përzgjedhjen e projektit në pajtim me Ligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, projekt që do të realizohet sipas projektit që do të përzgjidhet pas një shpallje të hapur publike. Projekti në fjalë duhet të përmbajë pjesën e varrezave, konservimin e kullave të rezistencës, bunkeri, objektin informativ, amfiteatrin veror dhe objektet tjera përcjellëse.

Qeveria ka miratuar Kodin e Proceduarës Penale, që u konsiderua një veprim i rëndësishëm për ta përmbyllur infrastrukturën ligjore dhe në vijën e ndryshimit të legjislacionit penal të Republikës së Kosovës, e evidentuar si nevojë e ndryshimit dhe plotësimit të disa dispozitave, të cilat në Kodin aktual kanë paraqitur vështirësi në zbatimin e tyre. Në hartimin e Kodit të Procedurës Penale janë marrë parasysh eliminimi i të gjitha mangësive, zbrazëtive dhe vështirësive të evidentuara gjatë zbatimit të kodit aktual. Po ashtu, po sot është miratuar edhe vendimi për organizimin dhe funksionimin e strukturave për menaxhimin dhe udhëheqjen e iniciativës së të dhënave të hapura.