Liridon Krasniqi i emocionuar pasi u ftua nga Malajzia: E realizova ëndrrën, do të jap gjithçka nga vetja

Liridon Krasniqi thotë se ëndrra e tij për ta përfaqësuar Malajzinë po bëhet realitet.

Futbollisti kosovar u ftua së fundmi nga ekipi kombëtar i Malajzisë për tri ndeshjet e fundit kualifikuese të Botërorit 2022.

Mesfushori kualitativ luajti me sukses për pesë vjet në kampionatin e vendit aziatik dhe me këtë rast e mori edhe pasaportën e këtij shteti.

Tash, ai është duke luajtur në futbollin australian me ekipin Newcastle Jets.

Sidoqoftë, nuk e ka lënë asnjëherë prapa Malajzinë, aty ku u ngrit si futbollist pasi në futbollin evropian nuk pati ndonjë karrierë të suksesshme.

Futbollisti shtatlartë është i gatshëm ta përfaqësojë Malajzinë, për të cilën thotë se do të japë gjithçka nga vetja.

“Vetëm desha ta ndaj me ju ëndrrën e cila u bë realitet sot. Që kur e nisa karrierën time në Malajzi, ka qenë ëndërr që ta përfaqësoja vendin që i dha formë karrierës sime profesioniste si futbollist në vitet e fundit. Ta marr ftesën e parë për kualifikimet e Botërorit nga ekipi kombëtar i Malajzisë definitivisht më jep krenari dhe gëzim dhe jam i përulur dhe falënderues për mundësinë që më është dhënë ta përfaqësoj Malajzinë me të gjitha mundësitë dhe aftësitë e mia në arenën ndërkombëtare. Dëshiroj ta falënderoj Zotin, bashkëlojtarët dhe trajnerët”, ka shkruar 29 vjeçari në rrjetet sociale.

Krasniqi ishte ftuar disa herë në ekipin kombëtar të Kosovës, por nuk ka luajtur në ndeshje zyrtare, prandaj edhe e pati mundësinë ta ndërronte Kombëtaren. /Gazeta Express/