Hotel & Restaurant Liqeni i Dukagjinit ka reaguar publikisht pas deklaratave të Ministres në detyrë të Mjedisit, znj. Fitore Pacolli, lidhur me pretendimin për mbylljen e aktivitetit të këtij biznesi.

Përmes një reagimi, Drejtori i kompanisë Liqeni Dukagjin Sh.P.K. ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me deklaratën publike, duke theksuar se kompanisë deri në këtë moment nuk i është dorëzuar apo komunikuar zyrtarisht asnjë vendim për mbylljen e aktivitetit.

Sipas kompanisë, Hotel & Restaurant Liqeni i Dukagjinit është aktualisht i hapur dhe vazhdon aktivitetin normalisht.

“Dua t’i njoftoj klientët tanë, bashkëpunëtorët dhe opinionin publik se Hotel & Restaurant Liqeni i Dukagjinit është i hapur dhe vazhdon aktivitetin e tij normalisht”, thuhet në reagim.

Kompania mohon gjithashtu se ka pranuar ndonjë vërejtje apo konstatim zyrtar se veprimtaria e saj ka shkaktuar ndotje, dëmtim apo prishje të cilësisë së ujit.

“Ne nuk kemi pranuar asnjë vërejtje apo konstatim zyrtar se veprimtaria jonë ka shkaktuar ndotje, dëmtim apo prishje të cilësisë së ujit, ashtu siç është lënë të kuptohet në deklaratat publike”, thuhet më tej.

Liqeni Dukagjin Sh.P.K. thekson se posedon dokumentacionin përkatës për ushtrimin e veprimtarisë dhe shprehet e gatshme që çdo çështje ta sqarojë përpara institucioneve kompetente.

Kompania thotë se i respekton institucionet e Republikës së Kosovës dhe se do t’i përgjigjet çdo procedure institucionale dhe ligjore me transparencë të plotë.

Në reagim, theks i veçantë i është kushtuar edhe ndikimit që, sipas kompanisë, deklarata publike mund të ketë tek punëtorët dhe familjet e tyre.

“Një deklaratë e tillë publike prek jo vetëm emrin dhe reputacionin e kompanisë, por edhe mbi 60 punëtorë të punësuar në biznesin tonë. Pas secilit prej tyre qëndron një familje që mbahet nga paga dhe puna e ndershme që realizohet çdo ditë në këtë kompani”, thuhet në reagim.

Sipas drejtuesve të kompanisë, publikimi i lajmit për mbylljen e biznesit pa iu dorëzuar paraprakisht një vendim zyrtar ka shkaktuar shqetësim te klientët, partnerët, punëtorët dhe familjet e tyre, si dhe, sipas tyre, ka dëmtuar imazhin e kompanisë.

Hotel & Restaurant Liqeni i Dukagjinit thotë se nuk kërkon më shumë se respektimin e procedurave ligjore, transparencë dhe trajtim të drejtë institucional.

“Nëse ekziston ndonjë pretendim ndaj kompanisë sonë, jemi të gatshëm të përballemi me të përmes institucioneve përkatëse dhe të paraqesim çdo dokument që kërkohet”, thuhet në reagim.

Në fund, kompania u ka bërë thirrje klientëve dhe bashkëpunëtorëve që të mos shqetësohen, duke përsëritur se:

HOTEL & RESTAURANT LIQENI I DUKAGJINIT VAZHDON TË JETË I HAPUR DHE NË SHËRBIM TË KLIENTËVE TË TIJ.