Mbrojtësi i Holandës, Dalye Blind, i ka kritikuar analistët që po bëjnë thashetheme për të ardhmen e Christian Eriksenit në futboll dhe beson se ish-bashkëlojtari i vet mund të vazhdojë të luajë, pavarësisht arrestit kardiak.

Mesfushori 29-vjeçar pësoi arrest kardiak në fushë në përfundim të pjesës së parë mes Danimarkës dhe Finlandës në ndeshje hapëse të Grupit B në Euro 2020 dhe u rikthye në jetë me defibrilator nga ekipi mjekësor i kombëtares. Ai u dërgua më pas në Rigshospitalet, një spital afër stadiumit Parken në Kopenhagë.

Edhe Blind ka ICD në zemër, pas arrestit kardiak që e kishte pësuar më 2019, dhe ka qenë në gjendje ta vazhdojë karrierën si futbollist.

Ai beson se edhe mesfushori i Interit, me të cilin kishte luajtur në Ajax vite më parë, ende ka mundësi ta vazhdojë karrierën.

“Pamjet nga Kopenhagë, ku Christiani shihej i shtrirë në bar, patën shumë ndikim tek unë”, tha Blind.

“Ato pamje ishin shumë të njohura për mua. Ishte aq reale përsëri, prandaj edhe ishte emocionale për mua. Kur më ndodhi e njëjta gjë mua, e tërë bota po më thoshte se kisha mbaruar si lojtar, sie nuk do të mundë të luaja më”, theksoi ai.

“Shikoni ku jam sot. Prandaj u them të gjithëve: ‘Lini Christianin rehat!” shtoi ai.