Limaj thotë se opozita duhet të konsiderojë bojkotin e zgjedhjeve: Osmani kaloi kompetencat e saj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, thotë se data e zgjedhjeve lokale mbeti nën hije pas shkarkimit të kryesueses së Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

“Data është afat ligjor dhe zgjedhjet janë paraparë për në tetor dhe cila datë brenda tetorit është çështje teknike. Por, rëndësi ka që janë në afat ligjor. Datën e zgjedhjeve e lë në hije ajo që ndodhi një ditë më parë me shkarkimin e kryesueses së KQZ-së dhe besoj se diskutimi dhe ajo që mori vëmendjen është vendimi i presidencës për shkarkimin e Dakës”.

“Ne mund të kemi vërejtje në ushtrimin e detyrave të tyre por kjo nuk duhet të dërgoj në shkarkimin e personave të tillë pasi ne jemi vend demokratik dhe ka procedura ligjore të cilat janë të qarta”.

Limaj në Rubikon deklaroi se Osmani kaloi kompetencat e saj me shkarkimin e Dakës teksa thotë se ky është rast kushtetues, njofton Klankosova.tv.

“Besoj që është shkelje e pastër e kompetencave dhe shkelje kushtetuese pasi KQZ është institucion i pavarur dhe presidentja duhet të kujdeset për pavarësinë e këtij institucioni dhe Osmani e ka keqkuptuar kompetencën e vet pasi mund ta bëjë emërimin dhe jo shkarkimin pasi është një zinxhir që duhet të respektohet për shkarkim. Mendoj se ka dalë jashtë kompetencave me shkarkim sidomos pa një konsultim paraprak”.

“E arritura më e madhe në demokracinë e Kosovës mendoj që është mbarëvajtja e zgjedhjeve bashkë me KQZ-në, PZAP-në dhe Gjykatën Kushtetuese të cilat asnjëherë nuk kanë dalë jashtë kompetencave pasi ne kemi përcjellë ankesa në PZAP ose kërkesa në Gjykatën Kushtetuese”, tha Limaj.

“Vendimi është më shumë kolumne sesa vendim i bazuar në ligj. Problem është të kuptohet shteti pasi vërejtjet dhe kritikat tona duhet të jenë të qarta në përmirësimin e punës së një institucioni dhe shkarkimi nuk duhet të jetë ndëshkim. Në vendim nuk kam parë ndonjë thirrje të ndonjë neni por nenit të presidencës e që edhe ai është gabim. Presidentja nuk do duhej të lejonte që partitë politike të ndikojnë në ndonjë vendim të saj”.

“Ka rast për Gjykatën Kushtetuese nuk jam duke folur për individin por për institucionin pasi nëse sot bëhet një veprim i tillë kush na garanton që presidenti i ardhshëm nuk do e bëjë një të tillë”.

Mes tjerash Limaj thotë se opozita duhet të konsiderojë bojkotin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti pas shkarkimit të Dakës.

“Për ruajtje të integritetit të KQZ-së duhet të bojkotohen zgjedhjet pasi duhet të shërbej si mësim që nuk duhet të rrezikohet integriteti i institucioneve të pavarura. Opozita duhet të paralajmëroj që të hiqen duart nga institucionet e pavarura dhe nëse duhet të bojkotohen zgjedhjet”.

E përsërisë jo në emër të individit por se bëhet rrugë që të ketë ndërhyrje në institucione të pavarura”, tha Limaj.