Limaj tenton t’i hakmerret Haradinajt për Haxhi Shalën, ia merr një nëndegë në Malishevë

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka bërë të ditur se sot në partinë e tij kanë aderuar disa ish-anëtarë të AAK’së.

Limaj në Facebook ka shkruar se në Nismë janë antarësuar ish kandidati për kryetar të Malishevës, njëherit asambleistit në Kuvendin Komunal të Malishevës, Kajtaz Gashi me bashkëpunëtorët e tij nga AAK-ja, Januz Mazreku – nënkryetar i degës dhe Avni Kryeziu – anëtar kryesie dhe kryetar nëndege.

“Kajtaz Gashi është pasardhës i familjes së shquar patriotike, Ramadan Shabanit nga Kijeva, i cili ishte një nga pleqnarët më me zë të asaj kohe, duke luajtur rol të madh jo vetëm në pajtimin e gjaqeve dhe ndaljen e hasmërisë mes shqiptarëve, por edhe në promovimin e vlerave tona kombëtare. Ardhja e Kajtazit, Januz Mazrekut dhe Avni Kryeziut, është vlerë e shtuar për familjen tone politike. Bashkë me ta do të jemi edhe më të fuqishëm në Malishevë dhe në vend. NISMA Socialdemokrate është një portë politike e hapur për të gjithë ata njerëz me energji pozitive të cilet duan që përmes saj të japin kontributin e tyre për vendin dhe kombin”, ka thënë ai.

NISMA dhe AAK’ja kanë acaruar marrëdhëniet sidomos pasi që deputeti Haxhi Shala kaloi në AAK.