Limaj: Qeveria në ikje shkeli rëndë Kushtetutën, ndërhyri në kompetencat e Kuvendit

Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka thënë se vendimi i djeshëm i Qeverisë në detyrë sa i përket kufizimeve të reja të lëvizjes së qytetarëve është një shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit.

“Qeveria në ikje dje bëri një ndërhyrje të vrazhdë në kompetenca të Kuvendit.Ajo çfarë ka ndodhur dje, jep alarm për përsëritjen e shkeljes së Kushtetutës, shumë më vrazhdë se herën e kaluar”, ka thënë Limaj.

Ai tutje është shprehur i trishtuar që instsitucionet në mbrojtje të të drejtave të njeriut nuk kanë reaguar.

“Jam i trishtuar me mos reagimin e shumë institucioneve. Ajo që ka ndodhë dje nuk është kufizim i lirive, por është grabitje e të drejtave të qytetarëve të Kosovës. Me një vendim arbitrar janë suspendu kompetencat e Kuvendit, nga një institucion që se ka legjitimtetin e Kuvendit”, ka shtuar ai.

Në fund Limaj ka pyetur nëse kanë të drejtë që si Kuvend i Kosovës t’i drejtohen Gjykatës Kushtetutese.

“A kemi të drejtë ne si Kuvend që t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, a do të duhej ta ftonim avokatin e Popullit. Është alarmante që një qeveri e shkarkuar të vendos për lëvizjen e deputetëve”, ka theksuar Limaj.