Kreu i NISMA-s Socialedemokrate, Fatmir Limaj, ka kujtuar krerët e UÇK-së, në katër-vjetorin e burgosjes së tyre nga Gjykata Speciale.

Limaj ka thënë se lufta e UÇK-së është e pastër, e drejtë dhe e shenjtë dhe se bashkëluftëtarët e tij po përballen padrejtësisht me akuza të rrejshme në Hagë.

“Lufta e UÇK-së është e pastër, është e drejtë, është e shenjtë! Sot bëhen 4 vjet që bashkëluftëtarët dhe miqtë e mi po përballen padrejtësisht me akuza të rrejshme në Hagë. Si njëri nga ata që ka triumfuar dhe ka fituar beteja të tilla, më së miri i kuptoj sfidat jo të lehta me të cilat po përballen ata, familjet e tyre, por edhe bashkëluftëtarët dhe qytetarët e Kosovës”, thuhet në postimin e Limajt.

Sipas ish-ministrit të infrastrukturës, krerët e UÇK-së do ta fitojnë edhe këtë betejë.

“Jam thellë i bindur, duke qenë i sigurt në pastërtinë e luftës sonë çlirimtare, ata do ta fitojnë edhe këtë betejë, si gjithë betejat e tjera për lirinë!”, thuhet në postimin e tij.