Limaj paralajmëron pozicion të ri nëse PAN s’krijon qëndrim për dialog e liberalizim vizash

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka thënë se ka folur me Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn për një takim për t’i koordinuar qëndrimet për dialogun, liberalizimin e vizave dhe temat e tjera. Ka thënë se nëse s’do të ketë pajtim se si të ecet tutje atëherë NISMA do të dalë me qëndrim të saj për këto proces.

Nuk ka treguar nëse qëndrimi i NISMA’s është edhe për të shkuar në zgjedhje të shpejta.

“Jam dëgju me dy partnerët. E kemi lënë pas kthimit të z.Haradianjt nga Polonia të flasim me partnerët. Të flasim për zhvillimet e fundit. T’i dëgjoj partnerët dhe opinionin e tyre se a mund të kemi një qëndrim për dialog, liberlaizim të vizave dhe tema të tjera”, ka thënë Limaj, në një bisedë për Express.

“Duhet të bisedojmë me partnerët për çfarëdo procesi të mëtutjeshëm. Qëndrimi për këto tema determinon shumë procese në të ardhmen”, ka shtuar ai.

Ditë më parë, Gjykata Kushtetuese mori vendim të shpallë antikushtetues ekipin negociator të Kosovës në dialog me Serbinë që e udhëhiqte Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti. PSD ka braktisur projektin e Qeverisë derisa NISMA ka kërkuar të dilet me një qëndrim si Qeveri.

Fatmir Limaj thotë se dialogu ka mbetur në udhëkryq.

“Qeveria dhe partnerët e koalicionit duhet të kenë një qëndrim për këto tema. Nëse s’mund të ndërtojmë një qëndrim të përbashkët atëherë del NISMA del me qëndrim publik për këto tema”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, opozita ka kërkuar rrëzimin e Qeverisë prej momentit kur Gjykata Kushtetuese konstatoi se ekipi negociator ishte antikushtetues.

Disa zyrtarë të NISMA’s kanë thënë se janë të gatshëm të flasin me LDK’në për rrëzim të Qeverinë e zgjedhje të reja.

Edhe Lutfi Haziri, të enjten në Pressing, kërkoi qartësi nga NISMA për projektin e rrëzimit të Qeverisë.

Por, Fatmir Limaj ka thënë se s’dëshiron të komentojë dëshirat e askujt pasi NISMA është pjesë e Ekzekutivit.

“S’di çfarë qartësia kanë kërkuar. S’komentoj dëshirat e askujt nga distanca”, ka thënë Kryetari i NISMA’s, Fatmir Limaj.

loading…