Limaj: Nisma është parti parlamentare, PZAP anuloi kontrabandën nga Serbia

Nisma Socialdemokrate e ka mirëpritur vendimin e PZAP-it ku urdhëron KQZ-në të largojë nga rezultati përfundimtar votat e ardhura nga Serbia, si dhe rinumërimin e 1472 vendvotimeve.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj në një konferencë të jashtëzakonshme për media tha se Nisma dhe partnerët janë subjekt parlamentar dhe do të vazhdojnë të bëjnë punën brenda Kuvendit të Kosovës.“Nga sot edhe me vendim të PZAP-it, Nisma dhe partnerët janë parti parlamentare dhe u dëshmua ajo që kemi thënë se me vota tona jemi brenda parlamentit”, tha ai teksa pati fjalë të mira për anëtarët e PZAP-it, duke e konsideruar vendimin e tyre si të guximshëm dhe ligjor.

“Sot, Kosova nga vendimi i PZAP-it për të anuluar kontrabandën nga Serbia, është më e sigurt, është ligjore. Është një Kosovë që ka institucione që mbrojnë ligjet. Gjithë ne qytetarët jemi më të sigurt për faktin se vendimi i PZAP-it ka treguar shtetin ligjor. Sot ai organ i tregoi gjithë Kosovës se ka burra dhe gra që shtetin ligjor e kanë të shenjtë. PZAP e ka kthyer në një masë të madhe integritetin e procesit zgjedhor”, u shpreh Limaj.

Ai adresoi edhe akuza ndaj KQZ-së, duke thënë se shpallja e rezultateve të tyre tregon që kanë qenë të gabueshme.Gjatë ditës së sotme Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP-i, ka vendosur për 100 ankesat e paraqitura nga subjektet politike dhe kandidatët për deputetë të cilët janë paraqitur pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

PZAP-i 53 ankesa i ka pranuar të bazuara prej tyre lidhur me 52 ankesa paneli ka vendosur që të urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e 1472 vendvotimeve.Ndërsa lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, ka vendosur që të pranojë të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në, që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia.23 ankesa janë hedhur te pasafatshme dhe të palejuara, 25 ankesa janë refuzuar të pabazuara dhe 1 ankesë konstatohet e tërhequr.

loading…