Limaj: Nisma do të dalë me zgjidhje, nëse forcat politike qëndrojnë të barrikaduara

Nisma Socialdemokrate ka vazhduar takimet me strukturat drejtuese të degëve të saj anëkend vendit.

Kësaj radhe kjo parti ka mbajtur takim me strukturat drejtuese të degëve të Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Leposaviqit.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.

Ky i fundit tha se Nisma sot tanimë është një parti e cila nderohet dhe respektohet edhe nga kundërshtarët më të mëdhenj në skenën politike falë besimit të qytetarëve të Kosovës.

Limaj ka thënë se krejt ky sukses i Nismës është rezultat i punës meritore.

Ai ka treguar arsyen e mbajtjes së këtyre takimeve.

“E para për të bashkëbiseduar dhe njoftuar njëri -tjetrin ku jemi dhe ku kemi arritur dhe për të ju informuar juve me angazhimet e Nismës dhe në fund së bashku për të zhvilluar vizionin tonë ku duam të shkojmë. Ky format i takimeve e ka për qëllim që degët tona të koordinohen njëra me tjetrën”, ka thënë Limaj.

Limaj u është drejtuar kryetarëve të degëve të Nismës që të bëhen gati për fitoren e re.

Ai ka thënë se duhet përgatitur ekipin për fitoren e re dhe se energjitë e Nismës janë të freskëta.

Ai ia ka bërë me dije qytetarëve të Vushtrrisë se ministri Endrit Shala ka ndërmarr; disa hapa në përshpejtimin e procedurave për ta bërë Vushtrrinë më park të biznesit. Ai ka thënë se është i pakënaqur me bujqësinë.

“Nuk është koncepti ynë siç duam. Shpresoj që politika e Nismës për bujqësinë do të gjejë vend. Ne po punojmë fort që politika jonë për bujqësinë do të gjejë vend. Koha është për fuqizim të bujqësisë. Iu premtoj fort që do ta ndryshojmë këtë qasje”, ka shtuar Limaj.

Më pas ai ka folur për objektivat e qeverisë së Kosovës.

I kemi disa objektiva si qeveri që po presim këtë vit të punojmë fort për t’i përmbyllur. Vizat, anëtarësimi në Interpool dhe formimi i Ushtrisë janë temat që po punojmë që t’i përmbyllim shpejtë.

Sa i përket dialogut, Limaj ka thënë se nuk do të bëhet pjesë asnjëherë e tavolinës ku është temë ndarja e Kosovës dhe se ndarja nuk do të ndodhë.

Limaj ka thënë se forcat politike në Kosovë me veprimet e tyre po i kontribuojnë për ta sjellë situatën në gjendje të palakueshme.

Ai ka shtuar se nëse forcat politike qëndrojnë kështu të barrikaduara në qëndrime, atëherë Nisma do të dalë më një rrugëzgjidhje.

E, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka thënë se Nisma që dy mandate në Kuvendin e Kosovës është në sajë të angazhimit të përkushtuar të njerëzve të kësaj anë.

Krasniqi është shprehur i bindur se me angazhimin e mëtutjeshëm ata do ta fuqizojnë pozicionin e Nismës në institucionet qendrore dhe lokalë. Krasniqi ka theksuar se sa më shumë që forcohet Nisma, ai thotë se qytetarët e Kosovës dhe të vendit në përgjithësi, do të kenë çka presin.

“Edhe qytetarët e Mitrovicës dhe të Vushtrrisë jam i bindur që janë një forcë më e madhe e elementit socialdemokrat. Por, ne së bashku të gjithë e në mënyre të veçantë ju do të jeni ata që më angazhimin tuaj dhe komunikimin tuaj me njerëzit e kësaj anë do ta zgjeroni konceptin socialdemokrat të Nismës. Asnjë subjekt politik në Kosovë nuk e ofron frymën e solidaritetit se sa Nisma Socialdemokrate. Kërkoj nga gruaja e Nismës në këtë rajon të jetë shtylla kryesore për të shtuar dhe forcuar Nismën në Mitrovicë dhe Vushtrri. Edhe të rinjtë duhet të angazhohen për të pasur një komunikim me djemtë dhe vajzat të cilët do të jenë shpresa dhe ardhmëria e këtij vendi, prandaj komunikimi me këto shtresa duhet jetë detyre e përhershme e jona”, ka theksuar Krasniqi.

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka thënë se degët e Nismës në Vushtrri dhe Mitrovicë janë degë tanimë të strukturuara mirë.

Qëllimi i këtyre takimeve ai ka thënë se është të bëhet një bilanc i punës njëvjeçare.

Sherifi ka thënë se sondazhet e fundit po e nxjerrin Nismën më mbi 10 deputetë, megjithatë ai ka thënë se nuk duhet të ndalen me kaq, por duhet të angazhohen në shtrirjen e Nismës në të gjitha cepët e vendit.

Ai ka ftuar që të gjithë të angazhohen në funksion të rritjes së Nismës jo për vetë, por për t’i sjellë të mira vendit.