Limaj: Më 14 nëntor fitojmë në Malishevë, nuk bëjmë koalicione parazgjedhore

Kryetari i Nismës Socialdemokratike, Fatmir Limaj në emision “Prime” të RTK-së ka folur për procesin zgjedhor të 17 tetorit dhe balotazhin e 14 nëntorit.

Ia ka thënë se Nisma në Malishevë në raundin e parë ka dalë shumë mirë dhe se pret fitore në balotazh.

“Në Malishevë ka demokraci, prandaj këtë e tregon edhe rezultati i raundit të parë”, ka thënë ai.

I pyetur për mbështetjen që kandidatit të PDK-së në Malishevë i kanë dhënë disa nga ish zyrtarët e lartë të Nismës, Limaj ka thënë se është në vullnetin e tyre t’i bashkohen kujtdo, mirëpo kjo nuk do të ketë ndikim më 14 nëntor. Duke folur për koalicionet e mundshme për balotazh, Limaj ka lënë të kuptohet se Nisma nuk do të bëjë koalicion zyrtar me asnjërën nga partitë.

“Nuk janë koalicionet dëshira. Nëse ju dëshironi ta ruani forcën tuaj politike, atëherë ju e dini kah i keni preferencat e votuesve. Në shumë raste kur koalicionet janë bërë në zyrë nuk kanë funksionuar në terren. Kjo ndodh pasi që ata që e kanë bërë marrëveshjen nuk e kanë dëgjuar votuesin. Ne ua lëmë autonominë degëve për zgjedhje, sepse ata e dinë cila është preferenca e votuesve të mi”, ka thënë tutje Limaj.

Kryetari i Nismës e ka marrë një shembull kur ai ishte në garë për kryetar të Prishtinës në vitin 2007.

“Në vitin 2007 unë kam pasur koalicion me AKR-në, aso kohe isha kandidat i PDK-së. Me matematikën e tavolinës ne e mundnim isa Mustafën, sepse AKR-ja aso kohe kishte votë të madhe në Prishtinë. Çka ndodhi më pas, kur erdhën votat, ishte një dështim total, sepse votuesi i AKR-së ishte pjesë organike e LDK-së. Votuesi i AKR-së nuk e dëgjoi marrëveshjen e tavolinë, dhe Mustafa u zgjedh kryetar”, tha tutje Limaj.