Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka qenë i ftuar sonte në emisionin Frontal Live në Televizionin T7. Ai ka folur për mbledhjen e sotme të të dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë. Limaj ka vlerësuar se ky takim ishte më i suksesshmi në pesë vitet e fundit.

Limaj ka thënë se qeveria e Kosovës është marrë intensivisht me organizimin e këtij takimi, që ҫështjet që do të diskutohen të jenë konkrete dhe të kenë efekt në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri.

Ndërkaq ai e ka komentuar edhe deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, i cili tha se kush e kundërshton Presidentin e Kosovës Hashim Thaҫin është gomar.

“Nuk besoj se në Kosovë kemi shku në atë nivel të cilësimeve të tilla, nuk e di kujt ia ka adresu. Ne kemi qenë të pakënaqur me presidentin në shumë drejtime, por s’ka pasur asnjëherë një cilësim të tillë që ai të quhet tradhtar”, është shprehur Limaj.

Ai tutje ka folur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilat ka thënë se pret që së shpejti të votohet në Kuvendin e Kosovës ekipi negociator.

“Jemi në një moment vendimtar, pres që këto 10 ditë të përfundojë, të miratohet delegacioni. Pres që të votohet në Parlamentin e Kosovës” është shprehur Limaj.