Ligji për Zgjedhjet e unifikon pushtetin dhe opozitën, shoqëria civile i akuzon se patën interesa partiake

Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, ka qenë arsyeja që si rrallë herë pushteti dhe opozita të jenë në një mendje. Me konsensus të plotë, partitë politike i kanë thënë PO, këtij projektligji i cili sipas tyre, do ta përmirësojë dhe avancojë procesin e zgjedhjeve.

Votën e deputetëve e ka përshëndetur edhe ambasadori i ShBA-së, në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili ka thënë se “Këto reforma e harmonizojnë më tej Kosovën me standardet e BE-së dhe forcojnë normat demokratike”.

Megjithatë, një sërë kritikash për projektligjin në fjalë, kanë pasur organizatat joqeveritare të Kosovës. Ato i kanë akuzuar partitë politike, që për interesa të ngushta partiake, janë bërë bashkë për ta ndryshuar vetëm në mënyrë ‘kozmetike’, ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Instituti i Kosovës për Demokraci (IKD), dhe Lëvizja FOL kanë vlerësuar se miratimi i ligjit me procedurë të përshpejtuar është një fenomen negativ që dëmton jetën parlamentare dhe vetë demokracinë në Kosovë.

Eugen Cakolli nga IKD-ja ka thënë se ky ligj është më shumë një adresim kozmetik i disa mangësive të ligjit të zgjedhjeve, sipas tij, duke iu përgjigjur interesave partiake të subjekteve politike.

“Në përmbajtjen e tij në vlerësojmë që ky ligj është më shumë le të themi një adresim kozmetik i disa prej mangësive të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme bazuar në rekomandimet e BE-së. E në anën tjetër është adresim edhe i interesave partiake që kanë subjektet politike parlamentare në veçanti me ato çështjet që ua kanë vështirësuar atyre le të themi marrjen mandateve apo disa prej keqpërdorimeve që kanë qenë mëse evidente gjatë proceseve zgjedhore në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, Cakolli ka thënë se ndryshimet në ligjin për zgjedhjet, janë afatshkurtëra që mund të cenojnë integritetin e zgjedhjeve dhe se sipas tij, mund të nevojiten ndryshime të reja në të ardhmen.

Ai gjithashtu ka shprehur shqetësimin se zgjerimi i listës së votimit nga pesë në dhjetë kandidatë do të sjellë efekte negative, duke rritur kohën e numërimit dhe rrezikun e keqpërdorimeve në numërim.

“Kërkesat e shoqërisë civile absolutisht nuk janë plotësuar, ne si shoqëri civile kemi kërkuar që pjesë e diskutimeve të jenë edhe çështjet përmbajtjesore të sistemit zgjedhor. Do të thotë jo vetëm këto adresimet teknike, por të diskutohet edhe çështjen e pragut, zonave, listave, mënyrën e zgjedhjes së presidentit e shumë çështje tjera”, është shprehur ai.

Ai ka theksuar se shoqëria civile kishte kërkuar që diskutimet të adresonin çështjet përmbajtjesore të sistemit zgjedhor, jo vetëm adresimet teknike.

Sipas tij, IKD-ja ka dërguar specifikisht rekomandime ndaj deputetëve të Kuvendit që integriteti i kandidatëve dhe përshtatshmëria juridike e tyre të mos kufizohej vetëm në burgim efektiv. Ai ka thënë se kërkohet që personave të dënuar për vepra penale të korrupsionit të mos u lejohet pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme.

Hulumtuesi i lartë i KDI-së, Eugen Cakolli
“Kemi kërkuar që çështja e integritetit të kandidatëve apo përshtatshmërisë juridike të kandidatëve mos të jetë e limituar vetëm në burgim efektiv për shkak se vitet e fundit mbi 80 për qind e rasteve të veprave penale të korrupsionit janë liruar me kush apo me gjobë, dhe gjithë atyre do t’u mundësohet pjesëmarrja zgjedhjet e ardhshme kurdo që të njëjtat do të mbahen, duke bërë që të kemi deputet apo ansambleist apo edhe kryetar komunash që kanë qenë të dënuar për keqpërdorim detyrës zyrtare”, ka thënë Cakolli.

Ndërsa, nga Lëvizja FOL, një organizatë joqeveritare, po ashtu ka pasur kritika në lidhje me miratimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Sipas tyre ligji nuk iu nënshtrohet konsultimeve dhe diskutimeve të mjaftueshme me publikun e gjerë, duke mos respektuar afatet optimale të përcaktuara në rregulloren e Kuvendit.

Në lidhje me zgjerimin e listës së votimit nga pesë në dhjetë, Lëvizja FOL ka vlerësuar se ky ndryshim nuk do të kontribuojë në përfaqësimin më të drejtë dhe cilësor në Kuvend, por do të shërbejë si një garë brenda-partiake që mund të rrisë potencialin e manipulimit të vullnetit të votuesve nga ana e komisionerëve.

Për portalin Dukagjini, Viona Bunjaku nga kjo organizatë ka shprehur shqetësimin se votuesit do të kenë mundësinë për të shënuar më pak se 10 kandidatë, duke krijuar mundësi të mëdha për manipulime.

“Ky ndryshim është më shumë zhvendosje e përplasjeve dhe garës brenda-partiake tek votuesit sesa që në realitet kontribuon në përfaqësim më të drejtë apo kualitativ në Kuvend. Ky ndryshim do të rrisë potencialin e manipulimit të vullnetit qytetar nga ana e komisionerëve, sidomos në rastet kur votuesit do të shënojnë më pak se 10 kandidatë”, ka deklaruar ajo.

Në lidhje me përshtatshmërinë juridike të kandidatëve, ajo ka theksuar se ky ndryshim është një nga aspektet më të dëmshme të ligjit. Pasi Bunjaku ka thënë se të drejtën për të kandiduar nuk do ta kenë vetëm personat që janë të dënuar me burgim efektiv për një ose më shumë vite, por edhe ata që janë dënuar me kusht, me gjobë ose me më pak se një vit burgim efektiv. Kjo, sipas saj, cenon integritetin dhe imazhin e Kuvendit.

Edhe sipas Lëvizjes FOL, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë do të sjellë regres në zgjedhjet e ardhshme, duke e vështirësuar formimin e një qeverie produktive. Bunjaku gjithashtu dyshon se ky ligj do të ketë shumë probleme në zbatimin e tij.

Disa nga ndryshimet e Ligjit për Zgjedhje, të cilat shoqëria civile i kundërshton janë:

Përshtatshmëria juridike e kandidatëve, sipas shoqërisë civile “është ndër ndryshimet më të dëmshme në kuadër të projektligjit, që cenon seriozisht integritetin zgjedhor”.

Me këtë ndryshim, të drejtë kandidimi nuk do të kenë vetëm ata që janë të dënuar me burgim efektiv prej një ose më shumë vitesh, duke e barazvlerësuar kriterin për kandidim me atë për humbje të mandatit. Kjo i jep mundësi kandidatëve që kanë qenë të dënuar me dënime me kusht, gjobë apo por me më pak se një vit burgim efektiv, të jenë pjesë e garës zgjedhore.

Një tjetër ndryshim është mundësia e shkarkimit të kryesuesit apo anëtarëve të KQZ-së me propozim të 2/3 të anëtarëve të KQZ-së, për rastet e dëmtimit të statusit apo integritetit të institucionit.

Rritja e votës preferenciale në 10 kandidatë, siç ka qenë në zgjedhjet e vitit 2007, është ndryshim tjetër i propozuar në kuadër të projektligjit. Pra, nga pesë kandidatë me ligjin e ri qytetarët do të kenë mundësi t’i votojnë 10.

Numërimi i votave të kandidatëve në Qendra Komunale të Numërimit. Ky ndryshim mundëson që kutitë e votimit do të hapen dy herë për numërim. Si rezultat i parregullsive dhe problemeve me numërimin e votave të kandidatëve të subjekteve politike është paraparë centralizimi i procesit të numërimit të votave të tyre nëpër secilën komunë.

Përkundër kritikave, Kuvendi i Kosovës të enjten, më 8 qershor, me 79 vota , tre kundër dhe pa asnjë abstenim, e miratuan Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.