Të gjithë kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit e kanë kaluar filtrin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Pra asnjë nga ta nuk është dënuar në tri vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim efektiv. Kështu thuhet në ligjin e ri për zgjedhjet që është miratuar në vitin 2023. Ehat Miftaraj nga IKD ka thënë se me ndryshmin e këtij kriteri për përshtatshmërinë e kandidatëve për të garuar në zgjedhje përfitojnë “numër i madh i ministrave aktualë dhe kandidatë tjerë që janë dënuar në tre vitet e fundit nga gjykatat kryesisht me gjobë dhe denim me kusht”.
Këshilli Gjyqësor e ka dorëzuar në KQZ listën me kandidatët për deputetë duke mos ia vënë vijë të kuqe asnjë kandidati. Siç njoftoi disa ditë më parë KQZ asnjë nga kandidatët nuk ka qenë i dënuar në tri vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim efektiv.
Kjo pikë është ndryshuar me ligjin e ri për zgjedhjet që u miratua vitin e kaluar e sipas juristit Ehat Miftaraj nga ky ndryshim përfitojnë numër i madh i ministrave aktualë apo kandidatë tjerë që janë të dënuar në tri vitet e fundit nga gjykata kryesisht me gjobë dhe dënim me kusht.
“Ligji i ri për zgjedhjet i miratuar gjatë vitit 2023, ka ndryshuar kriteret lidhur me përshtatshmërinë e kandidatëve për të garuar në zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Me ligjin e vjetër dhe praktikën e ndërtuar nga Gjykata Supreme kufizohej e drejta për të garuar për secilin kandidat i cili kishte aktgjykim të formës së prerë duke përfshirë denimet me gjobë, kusht apo denim me burgim me efektiv. Me ligjin e ri është ndryshuar ky kritet duke përcaktuar kufizimin vetëm për kandidatët që janë të denuar me së paku një vit burg efektiv më tre vitet e fundit. Me këtë ndryshim më së shumti përfitojnë numër i madh i ministrave aktual apo edhe kandidatëve tjerë të cilët janë denuar në tre vitet e fundit nga gjykatat kryesisht me gjobë dhe denim me kusht për veprat penale të korrupsionit mos deklarim apo deklarim i rremë i pasurisë “, ka thënë Miftaraj për Express.
Çka thuhej në ligjin e vjetër për këtë kriter?
Sipas ligjit të kaluar një person nuk mund të kandidojë për deputetë nëse “është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”.
Në zgjedhjet e fundit që u mbajtën më 14 shkurt të vitit 2021, KQZ’ja tha se në mesin e 28 subjekteve politike që garuan, 15 prej tyre kishin kandidatë me probleme me ligjin.
Nga rreth 1.080 kandidatë që u patën paraqitur në atë kohë, KQZ’ja nuk certifikoi 47 prej tyre, të cilët ishin shpallur fajtorë për vepra penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vjetët e fundit.
Një nga personat që nuk u lejua të kandidojë për deputet ishte edhe kryetari i VV’së, kryeministri aktual, Albin Kurti. Ai bashkë me disa deputetë tjerë të kësaj partie më 3 janar të vitit 20218 ishin dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa sipas Ligjit të ri nuk mund të kandidojë për deputet asnjë person që është dënuar në tri vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me 1 ose më shumë vjet burgim.

Nga kush tjetër kërkoi verifikim KQZ?
Përveç Këshillit Gjyqësor të Kosovës, KQZ ka kërkuar verifikim edhe nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
“Gjithashtu, ky nen specifikon që kandidat nuk mund të certifikohet një person i cili është zyrtar i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa; me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, apo KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it. Prandaj, kemi kërkuar nga PZAP-i të bëjë verifikimet në raport me këto kufizime ligjore.”
KQZ do të bashkëpunojë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme që të verifikojnë që kandidatët për deputetë nuk janë funksionarë me status të veçantë në bazë të Ligjit për Zyrtarë Publikë apo anëtarë të shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatikë.
“Neni 30 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme parasheh se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është funksionar me status të veçantë në bazë të Ligjit në fuqi për Zyrtarët Publikë apo anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomati. Për të bërë verifikimet e nevojshme edhe për këto kufizime ligjore, ne do të bashkpëunojmë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëe të Jashtme dhe e Diasporës.”
Ndërsa vetë KQZ do të verifikojë që kandidatët nuk janë kryesues apo anëtarë të KQZ’së Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.







