Video

Ligji i ri në trafik: Pa prezencën e inteligjencës artificiale, problematika do të vazhdoj, policia po i falin shkelësit e rregullave

Ligji i ri për rregullat e trafikut, i cili ka hyrë në fuqi me 3 prill të këtij viti, do të ketë gjoba të larta për shkelësit e rregullave në komunikacion, shkruan Ballkani.info.

Mosvënia e rripit të sigurisë, mbajtja në prehër e personit tjetër gjatë vozitjes, tejkalimi në vijë të plotë, përdorimi i celularit gjatë vozitjes dhe garat me vetura janë vetëm disa prej veprimeve të vozitësve që pritet të dënohen shumë më ashpër sesa me Ligjin e vjetër për rregullat e trafikut rrugor.

Eksperti i komunikacionit Bekim Ahmeti, në intervistën e dhënë për Ballkani.info, ka deklaruar se para hyrjes në fuqi të ligjit është dashur të fillohet me përdorimin e kamerave dhe radarëve mobilë dhe statikë, pasi problemi qëndron te identifikimi i personave që shkelin rendin dhe ligjin në trafik.

“Efekt ka, por se dimë se sa do të kenë ndikim, për arsye se menaxhmenti i Policisë, thotë se nuk ka mundësi të mbulohet i tërë territori i Republikës së Kosovës prej anës së Policisë, atëherë ka efekt kur shihet syri i Policisë. Mirëpo, pa prezencën e inteligjencës artificiale që janë kamerat, radarët statik dhe mobil, atëherë problematika do të vazhdoj, për arsye se aty ku nuk vërehet syri i Policit vërehet shumë larg, atëherë do të kemi gjendjen kaotike në komunikacion siç ka qenë më herët. Po të kishim pasur inteligjencën artificiale e gjithë popullata do të trajtohet njësoj”, ka deklaruar Ahmeti.

Ligji i ri, po ashtu ia ndalon vozitësit të automjetit të mbajë në prehër dikë tjetër, duke përfshirë këtu edhe fëmijët, gjë të cilën nuk e kishte specifikuar Ligji i vjetër. Ligji i ri ka paraparë dënimin me gjobë prej 400 euro, shqiptimin e 5 pikëve negative dhe ndalim të vozitjes së automjetit për 6 muaj nëse mban në prehër dikë tjetër. Ligji i ri ka paraparë dënime edhe për vozitësit të cilët bëjnë tejkalime në vijë të plotë. Gjoba për këtë veprim do të jetë 200 euro, shqiptimi i 2 pikëve negative dhe 3 muaj ndalim të drejtimit të automjetit. Ligji i vjetër kishte paraparë dënimin me gjobë nga 100-300 euro, 3-6 muaj ndalim të vozitjes dhe 2 pikë negative.

Eksperti i Komunikacionit ka thënë se është kundër ngritjes së gjobave, ai ka thënë se duhet të shkohet me inteligjencën artificiale.

Në parim nuk jam kundër ngritjes së gjobave, mirëpo jam në parim që të shkohet me inteligjencën artificiale, e nëse ka nevojë të ngritën gjobat, mendoj që kjo është bërë prej anës se kundër, se në vend që të instalohet inteligjenca artificiale, këta i kanë rrit drejtpërdrejtë gjobat”, ka thënë ai.

Ahmeti, ka potencuar se rritja e gjobave nuk është dhe aq problematike duke thënë se çdo qytetar nuk duhet të hyj në dritën e kuqe, dhe duhet të vendoset rripi i sigurisë sepse është masë preventive, mos të dilet me goma të papastërta e mos të mbahet fëmija në prehër. E kështu mund të ulet numri i aksidenteve në trafik.

Se kemi aksidente në trafik dhe përfundojnë me fatalitet, eksperti i komunikacionit thotë se në komunikacion shpesh kemi edhe “akte kriminale”, dhe jep edhe një shembull.

“Në qoftë se hyhet në dritën e kuqe me qëllim, ky është “akt kriminal”, për arsye se nëse një nënë më karrocë është duke i kaluar zebrat, ku shoferi e shtynë karrocën në vendkalimin për këmbësor, atëherë mund të dëmtohet edhe nëna edhe fëmija, ku kemi pasur raste të shumta. Me armë e dëmton vetëm një person kurse me hyrjen në dritën e kuqe i dëmton më shumë se 5 persona”.

Në shumicën e herëve policët e Policisë së Kosovës, i falin gjoba qytetarëve, për këtë gjë eksperti i komunikacionit, thotë se policia e Kosovës duhet ta merr me seriozitet maksimal problemin në komunikacion që mos të fal, sepse nuk ka të drejtë një polic që dikë ta fal e dikë jo, e në qoftë se e ndal duhet të shqiptohet gjoba.

 “Po të kemi inteligjencën artificiale, hiqet selektimi natyral e kthejmë në selektim artificial, edhe kësisoj është sistem kompjuterik, atij as nuk i vije keq e as nuk turpërohet, e as nuk ka mëshirë, sepse këto tri objekte janë brenda për brenda subjekteve. Andaj, personi është i tillë si qenie sociale që ta fal personin tjetër, edhe kur ka ankesa të llojit tjetër të rrejshme, prej anës së qytetarit atëherë edhe de-fakto nuk e dimë se cilën do ta gjobisin apo jo. Policia e Kosovës nuk është në atë nivel, të një policie shumë serioze, ku pavarësisht prej ligjëratave të personi që e ka shkel rendin dhe ligjin në komunikacion, shqiptohet gjoba, por Policia jonë nuk është në këtë nivel. Policia e Kosovës duhet ta merr me seriozitet maksimal problemin në komunikacion që mos të fal, sepse nuk ka të drejtë një polic që dikë ta fal e dikë jo, e në qoftë se e ndal duhet të shqiptohet gjoba”.

Gjatë vozitjes nuk lejohet përdorimi i telefonit, këtë e ka paraparë Ligji për rregullat e trafikut rrugor. Nëse një person përdor telefonin gjatë vozitjes i njëjti do të dënohet me 100 euro gjobë dhe do t’i shqiptohet një pikë negative. Nëse veprimi i njëjti i përdorimit të telefonit përsëritet për herë të dytë, ngasësi i veturës do të dënohet me 200 euro gjobë dhe me shqiptimin e dy pikëve negative dhe do t’i ndalohet ngasja për tre muaj. Ndërsa nëse për më shumë se dy herë vozitësi ka përdorur telefonin do të dënohet me gjobë në shumën 500 euro, do t’i shqiptohen tri pikë negative dhe do t’i ndalohet ngasja e veturës në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

3127 aksidente trafiku kanë ndodhur gjatë dy muajve të parë të vitit

3127 aksidente trafiku kanë ndodhur gjatë muajit janar dhe shkurt të vitit 2024 ka deklaruar Policia e Kosovës.

Nga aksidentet me persona të vdekur, sipas Policisë së Kosovës gjatë janarit të 2024-së janë 9 viktima më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Kurse, 1068 aksidente me lëndime e 2010 persona të lënduar janë gjatë muajit janar të vitit aktual thuhet në statistika të Policisë.

Ndërsa tiketa të shqiptuara në këtë periudhë kohore janë 117905 sosh.

Ky Ligj është votuar në Parlament dhe është dekretuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 11.03.2024. Ky Ligj është publikuar në Gazetën Zyrtare më 19.03.2024 dhe hyri në fuqi më 03.04.2024./Ballkani.info