Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka kundërshtimin propozimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike në vend.

Kjo lidhje ka drejtuar edhe ankesë tek Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), ku ka ofruar argumentet e saj për të kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë.

“Lidhja e Bizneseve të Kosovës, si përfaqësuese e komunitetit të biznesit vendor, shpreh shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin e vendosur ndaj paralajmërimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e tarifave të energjisë elektrike në nivel prej 15%. Ky propozim është i papranueshëm dhe ekonomikisht i dëmshëm, duke marrë parasysh gjendjen e rënduar ekonomike të vendit dhe ndikimin që do të ketë mbi bizneset, prodhimin vendor dhe mirëqenien e qytetarëve. Rritja e çmimit të energjisë elektrike, në këtë periudhë të ndjeshme për ekonominë e Kosovës, përbën barrë shtesë për sektorin privat dhe për të gjithë konsumatorët. Ky vendim pritet të ketë pasoja të drejtpërdrejta në rritjen e kostove të jetesës, uljen e fuqisë blerëse të qytetarëve dhe tkurrjen e aktivitetit ekonomik vendor”, ka vlerësuar Lidhja e Bizneseve të Kosovës.