Lideri fashist kroat në etiketë të verës

Një prodhues vere në Shiroki Brijeg, një qytet me shumicë popullsie kroate në Bosnje dhe Hercegovinë, po shet shishe vere me emrin Poglavnik, titulli i përdorur nga lideri kroat fashist ustash Ante Paveliq.

Bozo Pinjuh, pronari i punishtes së verës “Zlatna kapljica” në Siroki Brijeg, tha për BIRN se ai e shet verën në Kroaci, por vetëm në sasi të vogla – rreth 1,000 shishe në vit – dhe nëpërmjet porosive private.

Etiketat në shishe kanë një fotografi të Paveliqit, “Poglavniku” – një titull të ngjashëm me Duçen në Italinë fashiste ose me Fyhrerin në Gjermaninë naziste.

Pinjuh tha se ai ka 15 vjet që e shet verën dhe se nuk ka hasur kurrë probleme, edhe pse produkti i tij Poglavnik është raportuar nga mediat kroate.

“Unë jam i regjistruar, kam dokumente,” tha Pinjuh.

Ligji boshnjak nuk ka ndonjë përkufizim se çfarë është një organizatë fashiste dhe përdorimi i simboleve fashiste nuk ndalohet në vend.

Në fund të shtatorit, një klient në restorantin Bracera në qytetin bregdetar të Malinskës u ankua se verërat Poglavnik ishin në shitje atje.

“Ushqimi është në rregull, çmimet janë normale, kamerierët janë të sjellshëm, megjithatë, në një vend shumë të dukshëm në restorant ka shishe vere në të cilat shkruhet Poglavnik, poshtë të cilit është një fotografi e Ante Paveliqit,” shkroi klientja, Gjurgjica Ciliq, në një vlerësim në Google.

“Tani po shkruaj këtu dhe më pas do të kontaktoj policinë kroate dhe këshillin turistik të komunës Malinska. Turp për ju nëse nuk e dini se fotografinë e kujt keni në restorant dhe nëse e dini, atëherë duhet t’ju fusin në burg,” shtoi Ciliq.

Ciliq tha se ajo i shkroi policisë, duke u ankuar se shishet e verës Poglavnik ishin një shkelje e ligjit kroat mbi rendin publik.

Policia u përgjigj se ata vizituan restorantin dhe se “nuk kishte elemente të shqetësimit të paqes dhe rendit publik,” tha Ciliq.

Kur u kontaktua nga BIRN, restoranti nuk pranoi të jepte komente.

Midis viteve 1941 dhe 1945, Shteti i Pavarur i Kroacisë i udhëhequr nga ustashët e Paveliçit miratoi ligje raciste naziste dhe persekutoi serbët, hebrenjtë, romët dhe antifashistët kroatë.

Sipas një liste zyrtare të përpiluar emër më emër, 83,145 viktima të regjimit u vranë në kampin kryesor ustash të përqendrimit në Jasenovac.

Në gusht të vitit 2015, gjenerali kroat i kohës së luftës Branimir Glavas, i cili po gjykohet për krime lufte, postoi fotografi në Facebook ku kishte dalë duke pozuar me shishe vere që kishin fotografinë e Adolf Hitlerit në etiketë.

Verërat ngjanin shisheve me Hitlerin në etiketë që prodhon Vina Lunardelli, të cilat janë kritikuar ashpër nga qendra Simon Wiesenthal.