Liburn Aliu, ministër i Infrastrukturës. A do ta pastrojë këtë ministri siç bëri me Urbanizmin në Prishtinë?

Qeveria e re e Kosovës pritet të votohet sot në orën 17 në Kuvendin e Kosovës.

Qeverisë së re pritet t’i prijë Albin Kurti, derisa njëri nga ministrat më të rëndësishëm pritet të jetë Liburn Aliu.

Burime të Ballkani.info thonë se Liburn Aliu pritet të jetë ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit, ministri kjo më shumë telashe dhe e përfolur për korrupsion të lartë.

Liburn Aliu me fitoren e Vetëvendosjes në Prishtinë, para gati tetë vjetësh, u pat emëruar Drejtor i Urbanizimit. Aso kohe, Aliu u shqua për vendosjen e rendit në fushën e urbanizmit në Prishtinë, pasi katrahurës së krijuar me ndërtime gjatë qeverisjes së LDK-së.

Burimet tonë po ashtu thonë se Liburn Aliu në cilësinë e ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit pritet ta përdor të njëjtën logjikë sikur në Urbanizmin e Prishtinës – atë të pastrimit dhe vendosjes së rendit dhe ligjit. /Ballkani.info/