Liburn Aliu ia vazhdoi edhe 6 muaj mandatin e sekretarit Izedin Bytyqit, njeriut të Isa Mustafës që e riktheu në punë “babën e tenderëve”

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ia ka vazhduar edhe për 6 muaj Izedin Bytyqit mandatin si ushtrues të detyrës së sekretarit të kësaj ministrie.

Bytyqit i ka skaduar mandati sëfundi, por atij i është vazhduar sot kjo pozitë edhe për 6 muaj, si ushtrues i detyrës së sekretarit të MMPHI-së, me një vendim të nxjerrë nga Ministri Liburn Aliu, merr vesh Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

Izedin Bytyqi ishte akuzuar publikisht nga ish-Ministrja e Fiannacave, Hykmete Bajrami, për implikim në rastin e vjedhjes së 2.1 milionë Eurove në Thesarin e shtetit.

Labinot Gruda, zyrtar i Thesarit të Kosovës, do ta kishte të pamundur të kryente vjedhjen e 2.1 milionë eurove, sikur në Ministrinë e Infrastrukturës, të mos ishte neglizhuar një njoftim që do duhej t’i dërgohej Thesarit, i cili ende nuk dihet nëse është bërë me qëllim apo pa të. Kështu të paktën kishte pretenduar ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në ditën kur ishte zbuluar vjedhja e vitit që lamë pas.

Por kush është në të vërtetë Izedin Bytyqi?

Ballkani.info ka raportuar kohë më parë se sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi kishte marrë vendim për ta rikthyer në punë Nexhat Krasniqin, i njohur si “baba i tenderëve”.

Në vendimin që e kishte siguruar Ballkani.info të datës 05.01.2021, thuhej se Plotësohet Ndryshimi i Vendimit dhe me këtë plotësohet vendimi i datës 05.01.2021 me numër 16.

Tutje në këtë vendim thuhej se Komisioni i caktuar me vendim ka për detyrë ta bëjë pranim dorëzimin e detyrës nga zëvendësuesja e caktuar, Blendiona Gegollaj tek Nexhat Krasniqi, bazuar në vendimin e datës 22.12.2020.

Me këtë rast është formuar edhe komisioni për pranim-dorëzimin e detyrës për Divizionin e Prokurimit me përbërje Jetmir Alaj kryetar, Shefqet Emerllahu dhe Mimoza Binaj, anëtar.

Të kujtojmë se Nexhat Krasniqi ishte larguar nga pozita e shefit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës me vendim të ish sekretarit dhe me aktgjykim të Gjykatës Supreme.

Prandaj, vendimi i 5 janarit konsiderohej shkelje e aktgjykimit të Gjykatës Supreme dhe vendimeve tjera.

Por kush është Izedin Bytyqi, njeriu i Isa Mustafës të cilën kryeministri Albin Kurti në mandatin e parë e kishte bërë sekretar të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës?

Izedin Bytyqi ishte kritikuar për punësimin e resë së ish kreut të LDK-së, madje i njëjti ishte dënuar pasi në një rast tjetër kishte tentuar ta mashtrojë shtetin.

I njëjti para se ta marr këtë pozitë ka qenë edhe sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në kohën kur ministria udhëhiqej nga Arban Abrashi.

Bytyçi ishte kritikuar se nga kjo pozitë pati ndikuar në punësimin e resë të Isa Mustafës.

Edita Bajrami, gruaja e Besnikut, djalit të ish-kryeministrit Isa Mustafa ishte angazhuar si eksperte për të ndihmuar Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në rishikimin e Strategjisë Sektoriale.

Angazhimin e resë së ish-kryeministrit më 2017 e pati konfirmuar po Izedin Bytyçi, ish-sekretari në MPMS.

Ai pati thënë se Edita ishte angazhuar në kuadër të një projekti që, sipas tij, Ministria e pati ndërmarrë në bashkëpunim me Komisionin Europian për rishikimin e një strategjie të ministrisë.

“Është (punësuar) në kuadër të një projekti, Strategjisë së Rishikimit Sektorial të Ministrisë, nuk është punëtore e rregullt e Ministrisë. Aty janë të angazhuar 5-6 ekspertë”, pati thënë Bytyçi.

Sipas tij, bëhej fjalë për një angazhim të përkohshëm, deri në gjashtë muaj, kohë sa pritej të zgjaste procesi i rishikimit të strategjisë në fjalë.

Më vonë u konstatua se kjo përgjigje nuk ishte e saktë.

Edita, reja e ish-kryeminsitri Mustafa që vitin e kaluar qeverite bashkë me Kurtin, ishte angazhuar aty me kontratë për shërbime të veçanta.

Kontrata e saj ishte nënshkruar po nga Bytyçi, i cili kishte thënë se “përzgjedhja e ekspertëve nuk ishte bërë nga ministria”.

Përmes kësaj kontrate për shërbime të veçanta, Edita merrte pagë mujore prej 494, 75 euro në muaj.

Izedin Bytyçi mashtroi shtetin, ky dënim i ishte shqiptuar

Sekretari i tanishëm i qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti kishte tentuar ta mashtrojë shtetin.

Njeriu që në dy mandate mori poste në ministritë e udhëhequra nga partia Isa Mustafës nuk e kishte deklaruar pasurinë në vitin 2011, derisa ishte udhëheqës i Divizionit për Buxhet dhe Financa në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, shkruan Insajderi.

Bytyçi ishte dënuar më 2012 nga Gjykata e Lartë për Kundërvajtje për shkak se e kishte shkelur Ligjin për Deklarimin e Pasurisë.

Ai fillimisht kishte marrë një gjobë prej 2 mijë e 300 euro, vendim ky për të cilin ishte ankuar. Pas rishikimit të vendimit i njëjti ishte dënuar me 1 mijë e 500 euro.