Liburn Aliu denoncon Shpend Ahmetin se është përfshirë në ndërtime pa leje, e pyet a ka aksione në Albin Mall

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti se po e kthen degradimin në kryeqytet. Liburn Aliu, ish-drejtor i urbanizmit në Prishtinë, e ka akuzuar Ahmetin se është përfshirë në ndërtime pa leje, ndërsa e pyet kryetarin nëse ka aksione në Albi Mall.

Ata kanë përmendur brendet e reja që kanë arritur në Albi Mall, qe sipas tyre ajo pjesë e objektit është pa leje , dhe LVV dyshon që Shpend Ahmeti është i përfshirë ndoshta edhe si aksionar aty.

Liburn Aliu përmendi dy objekte të tjera në Prishtinë ku tha se ato janë simbole të ndërtimeve pa leje por që Ahmeti tash po i lejon punimet aty.

“Në dy objekte po punohet intensivisht. Duke ditë nivelin e presionit që kemi pas atëherë, po kthehet degradimi në Prishtinë, Shpendi po i përngjanë Ramushit për nga qeverisja, Shpendi po qeverisë siç është qeverisë Prishtina dikur. Pres që së shpejti të shpërthejë diçka më e madhe. Nuk është thjesht ndërtim pa leje por diçka më shumë. A lidhet kjo me kryeministrin Haradinaj apo presidentin Thaçi, kjo është pyetja ime për të”, tha ai.

Aliu ka komentuar edhe reklamën që, sipas tij, Ahmeti po ia bën brendeve që janë sjellë nga Albi Mall.

“Ardhja e brendeve të njohura në Prishtinë, është lajm i mirë por pse i bëhet reklamë pikërisht këtij brendi, pikërisht në Albi Mall. Lind pyetja mos kryetari është aksionar aty, mos ka ndonjë familjar. Kjo na shton dyshimet për lidhje korruptive. Mund të jetë fjala për punësim të ndonjë familjari të kryetarit në Albi Comerce””, shtoi tutje deputeti i VV’së.

Ditë më parë, i pari i Prishtinës shprehu kënaqësi që Albi Mall ka sjellë në Prishtinë brendin botëror të veshjeve, Zara.

“Sot, brendi më i madh i tekstilit ka hapur linjën e saj të dyqaneve në Albi Mall. Zara do të mbaj blerësit brenda në vend se të shkojnë në shtetet fqinjë për të blerë rroba. Shume e shumë brende të famshme janë duke ardhur në Prishtinë dhe Kosovë”, pati shkruar Ahmeti në Twitter.