Vizat

Liberalizimi i vizave, ‘gara’ për merita vazhdon mes PDK-së dhe LVV-së

Pak ditë para se të hyjë zyrtarisht në fuqi liberalizimi i vizave, opozita dhe pozita vazhdojnë me deklarata të ndryshme rreth këtij procesi, duke dhënë komente se cila qeveria ka kontribuar më shumë për finalizimin e procesit.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, sot përmes një postimi në profilin e saj në Facebook ka thënë se LVV nuk ka dhënë asnjë kontribut për këtë proces, dhe se vetëm e ka vonuar atë.

“Së pari, është lajm i mirë ndonëse i vonuar, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Së dyti, kontributi i vetëm i LVV dhe Kurtit në këtë proces është gazi lotsjellës në Kuvend dhe dhuna verbale e fizike, e cila na vonoi me vite. Sa për freskim të kujtesës, LVV as MSA-në, me të cilën sot mburren, nuk e kanë votuar. E sa për sukseset të cilat vendet tjera mund t’i shohin vetëm në ëndërr, më së miri flasin konkluzat e B.E; aplikacioni i Kosovës për statusin e vendit kandidat mbetet i patrajtuar, dhe sanksionet vazhdojnë”, thotë ajo.

Pas kësaj deklarate ka reaguar këshilltari i Besnik Bislmit, Klisman Kadiu.

Kadiu ka potencuar se është dashtë të vjen në pushtet LVV, në mënyrë që të ndodhë liberalizimi i vizave.

“Komisioni Evropian, në shkurt të vitit 2012 pati nisur procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.Vetëm pas 6 vitesh, në 2018, Komisioni Evropian konfirmoi në raportin e tij se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Me këto kritere të përmbushura, nuk ndodhi asgjë. Qytetarët vijuan të mbeten të izoluar. U desh ardhja e kësaj qeverie, që ky proces të zhbllokohet e të ketë epilog. Vendimi final për liberalizimin e vizave, u nënshkrua me 19 prill të këtij viti.

Znj. Çitaku, urime edhe për ju liberalizimin e vizave, të arritur më në fund për Kosovën, nga Qeveria Kurti. Rikujtojmë që liberalizimi i vizave është për qëndrime afatshkurtra, jo për qëllime studimi apo punësimi. Më shumë informata, mund të gjeni në webfaqen e Integrimit Evropian të Kosovës dhe në rrjetet sociale”, ka pohuar ai.

Mes tjerash ai ka shtuar se “dikush do të duhej t’i gëzohej liberalizimit të vizave e jo sanksioneve ndaj Kosovës, të cilat janë si rezultat i problemeve në dialog, të lëna nga këta me nënshkrime shumë dorëshlirë në Bruksel në të kaluarën”.

“Ndërkohë MSA-ja që ju e doni fort, zbatimin më të madh po e njeh gjatë kësaj qeverisjeje. Anëtarësimin në BE që ju e doni fort, po për të cilin mbi një dekadë në pushtet nuk aplikuat për anëtarësim, hapin e parë drejt familjes evropiane, e ka hedhur kjo qeveri”, vijon reagimi i tij.

Ndryshe, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojë pa viza që nga 1 janari 2024.