Lia e majmunit mund të eliminohet, OBSH: Infektimet në Europë kanë filluar të bien

Transmetimi i lisë së majmunit mund të eliminohet në Europë. Mesazhi shpresëdhënës vjen nga OBSH. Pavarësisht mbulimit të mangët me vaksina, ekspertët po vërejnë sinjale inkurajuese për rënie të qëndrueshme të infektimeve në shtete si Franca, Gjermania, Portugalia, Spanja dhe Britania e Madhe, e po ashtu ngadalësim të përhapjes në disa pjesë të shteteve të bashkuara.

“Ne besojmë se mund të eliminojmë transmetimin e qëndrueshëm mes njerëzve të lisë së majmunit në rajonin Europian”, tha Hans Kluge.

Më shumë se 47 mijë e 600 raste me linë e majmunin janë konfirmuar në 90 vende ku sëmundja nuk është endemike, që prej muajit maj. OBSH e ka shpallur virusin emergjencë globale. Sakaq, ekspertët e Organizatës B0otërore të Shëndetësisë paralajmërojnë për rritje të rasteve me Covid-19 në Europë, gjatë vjeshtës dhe dimrit.

“Brenda pak javësh numri i rasteve më koronavirus në Europë pritet të arrijë 250 milion, që prej shpërthimit të pandemisë 2 vite e gjysmë më parë. Infektimet do te shtohen ne vjeshte”, tha Kluge.

Ekspertët bëjnë thirrje për marrjen e masave parandaluese para stinëve më të ftohta, ndërsa paralajmërojnë se përveç varianteve të Covid-19, gjate vjeshtës dhe dimrit do të ketë qarkullim të shtuar të virozave të tjera.