Sulmuesi polak

Lewandowski i pakënaqur pavarësisht se Bayerni e mbylli grupin si lider në Champions League

Robert Lewandoski nuk ka qenë i kënaqur përkundër që Bayerni e siguroi vendin e parë në grupin E të Champions Leagues, pas barazimit spektakolar të mbrëmshëm me rezultat 3-3 ndaj Ajaxit.

Lewandowski ishte protagonist absolut derisa realizoi dy gola në “Johan Crujff Arena”, gjersa në total ka shënuar 8 gola dhe rradhitet i pari në listën e golashënuesve më të mirë pas përfundimit të fazës së grupeve.

Bayerni kishte dy herë epërsinë kundër Ajaxit, por nuk arriti ta mbrojë atë teksa ishte edhe një takim i tensionuar me dy ndëshkime me karton të kuq për secilën skuadër.

Sulmuesi polak mendon se bavarezët kanë më shumë potencial për të treguar ndërsa e kritikoi mungesën e posedimit të skuadrës së tij ndaj klubit holandez.

“Ishte një ndeshje shumë ofensive. Por çfarë treguam me mbajtjen e topit nuk ishte pozitive, kjo na mungoi. Ajaxi kishte më shumë posedim, por sërish ne kishim disa raste që nuk arritëm t’i konkretizojmë. Portieri i Ajaxit gjithashtu bëri një paraqitje të mirë por ne kemi më shumë potencial”, tha Lewandowski.